Zërat
Agim Kasapolli
Agim
Kasapolli

Nëntë medalje për Kosovën në Lojërat Mesdhetare: A ishte ky maksimumi i një delegacioni prej 163 sportistësh me armaten e zyrtarve turistik!

Zërat September 03, 2026 - 15:57
Shkruan: Agim Kasapolli

Kosova u paraqit në Lojërat e 20-ta Mesdhetare në Taranto të Italisë me një delegacion prej 163 sportistësh – 87 meshkuj dhe 76 femra – të cilët garuan në 21 degë sportive. Në fund, bilanci ishte vetëm nëntë medalje: dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.

Për një delegacion kaq të madh, të shpërndarë në 21 disiplina sportive, ky nuk është një rezultat që duhet të na kënaqë. Përkundrazi, ky rezultat ngre pyetje serioze për gjendjen reale të sportit kosovar.

Dy medaljet e arta i fituan Donjeta Sadiku në boks, në kategorinë deri në 60 kilogramë, dhe karateisti Islam Selmani.

Pesë medalje të tjera i solli xhudoja: një të argjendtë e fitoi Laura Fazliu, ndërsa katër të bronzta u siguruan nga Akil Gjakova, Shpat Zeka, Flaka Loxha dhe Fatjona Kasapi.

Në ditën e fundit të garave, dy medalje të argjendta për Kosovën i fitoi iraniani Kianoush Rostami, i cili u katapultua në ekspeditën kosovare pothuajse si një veturë rent-a-car, që merret me qira për kryerjen e një pune urgjente!

Por sporti përkatsisht shteti nuk ndertohet me"ret-a-car"

Përtej gëzimit të arsyeshëm për çdo medalje të fituar, duhet të shtrohet një pyetje e thjeshtë dhe e pakëndshme: a është ky një rezultat që duhet ta festojmë si sukses të madh?

Unë them se jo.

Një delegacion prej 163 sportistësh, i përfaqësuar në 21 degë sportive, nuk mund të vlerësohet vetëm për numrin përfundimtar të medaljeve. Duhet të analizohet raporti ndërmjet numrit të sportistëve, degëve sportive ku Kosova garoi, mjeteve të shpenzuara dhe rezultatit të arritur.

Nëse xhudoja nuk do të mbante barrën kryesore të medaljeve, bilanci i Kosovës do të ishte edhe më i zymtë.

Kjo e nxjerr në pah një të vërtetë të hidhur: Kosova ende nuk ka një bazë të gjerë të sportit konkurrues.

Investimet, përgatitjet, kampet stërvitore dhe premtimet për zhvillimin e sporteve të tjera nuk po japin rezultatet që priten. Shumë sportistë shkuan në garë, por në fund vetëm një numër shumë i vogël u kthye me medalje. Ndërsa në sportet kolektive u korrën rezultate që, pa asnjë hezitim, mund të quhen debakle.

Dëshmia më e mirë se sporti kosovar nuk ka bërë përparimin që vazhdimisht proklamohet është krahasimi me Lojërat Mesdhetare të para katër viteve, në Oran të Algjerisë.

Atëherë Kosova u përfaqësua me vetëm 39 sportistë dhe gjyqtarë, të cilët garuan në 12 disiplina sportive dhe fituan gjashtë medalje: tri të arta dhe tri të bronzta.

Medaljet e arta i fituan Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu, ndërsa me medalje të bronzta u stolisën Flaka Loxha, Akil Gjakova dhe boksieri Shpejtim Bajoku.

Bilanci ishte i qartë: pesë medalje nga xhudoja dhe një nga boksi.

Pra, në Oran, me vetëm 39 përfaqësues, Kosova fitoi gjashtë medalje, tri prej tyre të arta. Në Taranto, me 163 sportistë dhe me pjesëmarrje në 21 degë sportive, fitoi nëntë medalje, vetëm dy prej tyre të arta.

A është ky përparim?

A është kjo dëshmi e zhvillimit të sportit kosovar?

Apo, ndoshta, kemi rritur vetëm numrin e njerëzve që udhëtojnë me delegacionet?

Sepse vetëm në numrin e “zyrtarëve” turistikë nuk duket se ka ndonjë dallim të madh!

Këtu qëndron edhe një nga problemet më të mëdha të sportit kosovar: lufta për poste.

Federatat sportive, për shumë vite, janë shndërruar në kështjella të vogla pushteti, ku funksionet, pozitat dhe privilegjet mbrohen më me ngulm sesa rezultatet sportive. Poste që janë rrëmbyer dhe që prej dekadash mbahen nga të njëjtët njerëz, ndërsa sporti në shumë degë mbetet në vendnumëro.

Sporti nuk zhvillohet me delegacione të fryra dhe fotografi ceremoniale para nisjes.

Sporti nuk zhvillohet me hotele, udhëtime dhe kolona zyrtarësh.

Sporti nuk zhvillohet duke e shitur pjesëmarrjen si sukses.

Sporti matet me rezultat.

Matet me vazhdimësi.

Matet me konkurrencë.

Matet me medalje.

Taranto duhet të shërbejë si alarm për institucionet dhe federatat sportive të Kosovës.

Nuk mjafton vetëm të marrësh pjesë.

Pjesëmarrja pa rezultat nuk mund të shitet pafund si sukses.

Medaljet e fituara meritojnë respekt të plotë për sportistët që i siguruan, sepse ato janë fryt i punës, talentit dhe sakrificës së tyre. Askush nuk duhet t’ua zbehë vlerën sportistëve që luftuan dhe e përfaqësuan Kosovën.

Por një gjë duhet të ndahet qartë: meritat e sportistëve nuk duhet të përdoren për të fshehur përgjegjësinë e institucioneve dhe drejtuesve të sportit.

Përgjegjësia institucionale duhet të jetë shumë më e ashpër.

Një delegacion me 163 sportistë në 21 degë sportive dhe një numër enorm zyrtarësh, që në pamje i përngjante një delegacioni të një fuqie të madhe sportive, të gjithë të financuar me paratë e taksapaguesve kosovarë, përfundoi me vetëm nëntë medalje.

Ky është një bilanc që nuk kërkon vetëlavdërime.

Kërkon analizë.

Kërkon përgjegjësi.

Kërkon ndryshime.

Sepse medaljet mund të festohen, por rezultatet nuk mund të fshihen.

Nëntë medalje janë një rezultat. Por pyetja që duhet ta shtrojë sporti kosovar është: a është ky vërtet maksimumi që mund të arrihej me 163 sportistë, 21 degë sportive dhe një numër kaq të madh zyrtarësh të paguar me paratë e taksapaguesve?

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK