Spiuni Sheholli - në tri pamje të urtësisë sonë popullore
Urëtsia jonë popullore është e fituar dhe e kultivuar nga përvoja ndër shekuj. Është një prej mësimeve më të mëdha që nuk i kemi gjithmonë të shkruara në libra dhe që nuk argumentohet me terminologji akademike.
Se kjo është vërtet kështu, më së miri na e dëshmon edhe rasti që lidhet me spiunin Fatmir Sheholli dhe me mënyrën se si, përmes njerëzve të ndryshëm dhe hapësirës mediatike, Sheholli ka shtyrë përpara qëllimet dhe kauzat e tij si i akuzuar për spiunazh në shërbim të BIA-s serbe.
Me spiunin Sheholli s’kemi çka merremi, sepse me të tani e sa kohë po merren institucionet e shtetit të Kosovës. Por neve na intereson se si urtia popullore i shpjegon dhe i konsideron ata të cilët kanë punuar me të, janë bërë vegla të tij dhe të qëllimeve të tij dashakeqe. Si, për shembull, Milaim Zeka, Milazim Gashi, Blerim Canaj e disa të tjerë. Dhe si e tregon urtia jonë popullore edhe zbulimin e qëllimeve të tyre. Po edhe fundin e tyre.
Pamja e parë: “EDHE PËR SË VDEKURI”
Në urtinë popullore shqiptare është ruajtur një anekdotë me një përfundim shumë domethënës e që shumë mirë e ilustron rastin e spiunit Sheholli.
“Dikur, një kryeplak katundi – lexo: një spiun – kishte qenë shumë i ashpër. Ai e kishte pasur mbështetjen e pushtetit dhe, për këtë arsye, ushtronte dhunë mbi bashkëfshatarët e vet. Para se të vdiste, mblodhi fshatin dhe u la amanet që, kur të vdiste, t’ia lidhnin një litar në fyt dhe ta linin fillin e litarit mbi varr, duke thënë se këtë po e bënte në shenjë pendimi për sjelljet e tij të liga ndaj tyre. Fshatarët e varrosën dhe ia përmbushën amanetin. Të nesërmen, një patrullë e xhandarmërisë, duke kaluar atypari, pa litarin mbi varr. Xhandarët e tërhoqën, por litari nuk lëvizi. Thirrën fshatarët dhe kërkuan shpjegim. Kur morën vesh se kjo ishte bërë sipas amanetit të të vdekurit, nuk u besuan. Urdhëruan të zhvarrosej kryeplaku, pra spiuni. Kur e panë me litar në fyt, i akuzuan fshatarët se ata vetë e kishin varur. Të gjithë u arrestuan dhe në xhandarmëri filloi dajaku, për të zbuluar 'vrasësin'. Një plak, duke parë çfarë po ndodhte, u tha bashkëfshatarëve: 'Pasha mixhën, lërë, që ia kemi parë sherrin sa ishte gjallë, por që ia shohim edhe për së vdekuri, këtë kurrë s’e kisha besuar!”'.
Pamja e dytë: “I KEQI T’BAN PËRVETI, T’MERR ME VETI E PARA VETI T’QET N’DETI!”
Urtia jonë popullore e thotë qartë se i keqi rrallëherë vepron vetëm. Ai mund të kërkojë njerëz që t’i shërbejnë, ta përcjellin fjalën e tij, ta mbrojnë, ta zbukurojnë ose t’i japin asaj një pamje më të pranueshme.
Prandaj populli thotë: “I keqi t’ban përveti, t’merr me veti e para veti t’qet n’deti!”
Kjo fjalë e urtë është veçanërisht domethënëse për propagandën dhe të bëmat e spiunit Shehollit. Ai nuk i bëri vetë të gjitha. Ai i nisi, por bartës të tyre u bënë figura publike e mediatike si M. Zeka, M. Gashi, B. Canaj dhe të tjerë. Ata u bënë pjesë e një mekanizmi që, sipas asaj që tashmë është bërë publike, i shërbente përhapjes së narrativave dhe qëllimeve të tij, në dëm të Kosovës dhe në funksion të interesave të Serbisë. Ama, Sheholli i pagoi, i bëri për vete, po i merr me vete e do t’i qesë në deti...
Pamja e tretë: “RA KJO VDEKJE DHE U PAMË”
Urtia jonë popullore ka edhe një thënie shumë të njohur që i shkon shumë për shtati rastit të spiunit Sheholli dhe sejmenëve të tij: “Ra kjo vdekje dhe u pamë.”
U pa dhe u mor vesh tashmë shumë qartë se kush, pse, për kënd dhe si u bë gjithë ajo propagandë kundër çështjeve sensitive kombëtare, kundër figurave politike të Kosovës, kundër Islamit dhe institucioneve fetare islame në vendin tonë dhe kundër myslimanëve në përgjithësi.
U pa dhe u mor vesh jo vetëm kush janë këta, por edhe për kënd punuan këta dhe pse punuan...
Dolën lakuriq dhe, me sa duket, do të dalin edhe më keq.
“SHQETËSIMI YNË”
“Shqetësimi ynë” kryesor nuk është te një emër i vetëm, jo vetëm te këta që u përmendën më sipër, jo te një studio e vetme dhe as te një deklaratë e vetme, por te mekanizmi dhe “te frika” se a mos ka dhe a mos do të dalin gjatë gjykimit të spiunit Sheholli edhe të tjera qëllime, edhe të tjerë individë, edhe të tjera studio mediatike e edhe të tjera..., që do të kenë qenë të vëna në shërbim të Shehollit dhe, rrjedhimisht, të Serbisë.
Duke i parë reagimet, duke i parë prononcimet, veprimet, shkrimet, propagandën e ca figurave publike, si fjala vjen si sojin blerimian, batonian, të a.q. “lëvizjedeçanian”, t.v. “arbërian”, e të tjerë, “fort po tutem” se ka të ngjarë që lista e Shehollit, ose ndonjë listë tjetër, të zgjerohet shumë...
E po, punët e hafijes këtë fund e kanë.
E bajshin me shëndet të gjithë ata që i “kanë lyer buzët me pekmez serbi”.
Sadik MEHMETI
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK