Zërat
DR. SADIK MEHMETI
DR.
SADIK
MEHMETI

Kur ideologjia zëvendëson historinë: disa sqarime për shkrimin e Blerim Latifit mbi familjen Gjinolli

Zërat August 05, 2026 - 18:57
Shkruan: Dr. Sadik Mehmeti

Ditët e fundit, Blerim Latifi ka publikuar në profilin e tij në Facebook një shkrim për familjen e pashallarëve Gjinolli, në të cilin përpiqet ta paraqesë këtë familje kryesisht si simbol të zullumit ndaj shqiptarëve dhe të një tolerance të veçantë ndaj serbëve.

Çdokush ka të drejtë të ketë një interpretim të historisë. Por kur një interpretim paraqitet publikisht nga një profesor universiteti (profesor i thënçin!), ai duhet t’u nënshtrohet disa standardeve minimale: respektimit të kronologjisë, përdorimit të burimeve dhe dallimit ndërmjet faktit historik dhe interpretimit personal.

Pikërisht këtu qëndron problemi i shkrimit të Latifit.
Në vend që të ndërtojë një analizë mbi dokumente arkivore, burime osmane, raporte diplomatike ose studime historiografike, autori mbështetet kryesisht në formulime si: "thuhet", "një këngë ruan kujtimin", "me gjasë". Pastaj, mbi këtë bazë të dobët burimore, ndërton përfundime kategorike për dy figura historike të rëndësishme të Kosovës së shekullit XIX. Pot historia nuk shkruhet me "thuhet" dhe "më duket". Por këtë ky këtë nuk e bën rastësisht, por me një prirje të qartë për të krijuar hutim në perceptimin e publikut, për të nxitur një qasje negative ndaj trashëgimisë shqiptare osmane, për të relativizuar një pjesë të rëndësishme të identitetit historik e kulturor shqiptar dhe për të ndërtuar një perceptim të rremë sikur kjo trashëgimi të ishte e huaj për shqiptarët ose e lidhur me orientime serbe.

Gabimi themelor: ngatërrimi i Maliq Pashës me Jashar Pashën

Një nga problemet më serioze të shkrimit të këtij biçim profesori, i cili paraqitet si historian dhe shpesh merr përsipër të japë gjykime përfundimtare edhe për çështje që kërkojnë hulumtim të thellë dokumentar, është ngatërrimi i dy figurave kryesore të familjes Gjinolli. Maliq Pashë Gjinolli dhe Jashar Pashë Gjinolli nuk janë e njëjta figurë dhe nuk i përkasin të njëjtës periudhë historike. Maliq Pasha ishte figura kryesore e familjes në fillim të shekullit XIX. Ai u përfshi drejtpërdrejt në luftërat kundër kryengritësve serbë dhe, sipas të dhënave historiografike, vdiq nga plagët e marra në këto përleshje rreth vitit 1812.
Pas tij, pushtetin e trashëgoi nipi i tij, Jashar Pasha, djali i vëllait të Maliq Pashës. Pasardhësit e Jashar Pashës ishin Abdurrahman Pasha, Fuad Pasha dhe Ali Danish Beu, dhe jo ndonjë “Maliq Bej”, siç lë të kuptohet shkrimi i Latifit. Pra, kur Jashar Pasha vdiq në vitet 1840 (sipas të dhënave, pasi u thirr në Stamboll dhe u ekzekutua me urdhër të sulltanit për shkak të qëndrimit të tij kundërshtues ndaj reformave qendrore osmane), xhaxhai i tij Maliq Pasha kishte rreth tri dekada që nuk ishte më në mesin e të gjallëve. Prandaj është historikisht e pamundur që pas Jashar Pashës pushtetin ta ketë marrë përsëri Maliq Pasha. Ky ngatërrim nuk është një pasaktësi e vogël, por prek drejtpërdrejt kronologjinë themelore të familjes Gjinolli dhe tregon mungesë të verifikimit elementar të fakteve nga ana e autorit që pretendon të bëjë analizë historike.

Kush ishte në të vërtetë Maliq Pashë Gjinolli?

Pikërisht këtu bie narrativi i ndërtuar në shkrimin e Latifit. Maliq Pasha nuk hyri në histori si një figurë që luftonte kundër shqiptarëve. Ai u bë i njohur si një nga komandantët e rëndësishëm të administratës osmane në luftërat kundër kryengritjes së Karagjorgjit. Këtë nuk e dëshmojnë vetëm burimet shqiptare ose osmane. E dëshmojnë edhe burimet serbe. Në përballjet ushtarake të viteve 1806–1813, Maliq Pashë Gjinolli përmendet si një nga komandantët e forcave osmane në Kosovë.
Në përgatitjet për luftën e Deligradit, Ibrahim Pashë Bushatliu nga Shkodra kërkonte mobilizimin e forcave nga pashallarët shqiptarë dhe osmanë të rajonit. Në këto forca përmenden: Ibrahim Pashë Bushatliu, Reshid Pasha i Leskocit, Mahmud Pasha i Nishit, Maliq Pashë Gjinolli i Prishtinës, Sait Pasha i Prizrenit etj. Pra, figura e Maliq Pashës lidhet drejtpërdrejt me luftërat kundër kryengritjes serbe.

Beteja e Kamenicës, Qelekulla dhe burimet historike

Më 19 maj 1809 u zhvillua beteja e Kamenicës, një nga përplasjet më të rëndësishme të Kryengritjes së Parë Serbe.
Sipas burimeve historike, në këtë betejë morën pjesë edhe forcat shqiptare të drejtuara nga Maliq Pashë Gjinolli. Në disa burime theksohet se ai u dallua për rolin e tij në humbjen e forcave kryengritëse serbe.
Po në kuadër të këtyre zhvillimeve ushtarake të vitit 1809 lidhet edhe një nga simbolet më të njohura të kujtesës historike serbe: Qelekulla (ëele-kula) në Nish. Ajo u ngrit pas betejës së Çegrit, ku forcat osmane, në të cilat merrnin pjesë edhe njësi të komandantëve shqiptarë të kohës, përfshirë forcat e lidhura me administratën osmane të Kosovës, shkatërruan një pjesë të rëndësishme të forcave kryengritëse serbe.

Vetë ekzistenca e Qelekullës është dëshmi e ashpërsisë së konfliktit ushtarak ndërmjet ushtrive osmane dhe kryengritësve serbë në atë periudhë. Për këtë arsye, paraqitja e Maliq Pashë Gjinollit si një figurë "e afërt me serbët" bie ndesh me realitetin historik të këtyre përplasjeve.
Atëherë lind pyetja:

A mund të paraqitet si "mik i serbëve" një komandant që për vite me radhë ishte pjesë e operacioneve ushtarake kundër kryengritjes serbe?
Përgjigjen nuk duhet ta kërkojmë në polemikë, por në burime.

Ironia: edhe burimet serbe e kundërshtojnë këtë narrativë

Një nga elementet më domethënëse që mungon në shkrimin e Latifit është fakti se edhe tradita popullore serbe e ka ruajtur Maliq Pashën si kundërshtar të kryengritjes. Në këngën serbe "Boj na Deligradu", të mbledhur nga Vuk Stefan Karaxhiqi, Maliq Pasha paraqitet si pasha i Prishtinës që mobilizon forcat e Kosovës. Kënga përmend mobilizimin nga: Prishtina, Novobërda, Janjeva, Vushtrria, Mitrovica, Shala, Drenica. Pra, edhe kujtesa popullore serbe e njeh Maliq Pashën jo si aleat të serbëve, por si një nga kundërshtarët e tyre në luftërat e fillimit të shekullit XIX. 

Po kënga shqiptare?

Edhe këtu kemi një përzgjedhje selektive. Latifi citon një fragment kënge që i përshtatet tezës së tij, por hesht për tradita të tjera popullore shqiptare. Ndër to është kënga shumë e njohur: "Prej Prokupje deri në Nish", e cila lidhet me kujtesën shqiptare për luftërat e asaj periudhe, ku kishin marrë pjesë dhe qenë dalluar edhe luftëtarë nga Drenica (Zeqir Llausha e Dan Zatriqi). Fakti që kjo këngë është trajtuar me rezervë ose është ndaluar gjatë periudhës jugosllave për shkak të interpretimit të saj politik, nuk mund të jetë arsye për ta përjashtuar nga analiza historike.

Për çështjen e kishave

Një tjetër element problematik është përpjekja e Latifit për të nxjerrë përfundime politike nga fakti se gjatë periudhës së Gjinollëve u lejuan ose u mbështetën disa objekte fetare ortodokse.
Në Perandorinë Osmane, marrëdhëniet me institucionet fetare ishin pjesë e administrimit të komuniteteve fetare. Lejet për ndërtimin ose restaurimin e objekteve fetare nuk mund të interpretohen automatikisht si dëshmi e një orientimi politik apo kombëtar. Lejet për ndërtimin ose restaurimin e objekteve të kultit të mileteve jomyslimane në Perandorinë Osmane nuk ishin rezultat i ndonjë “tolerance personale” të pushtetarëve lokalë, siç tenton të nënkuptohet në shkrimin e Latifit, por pjesë e një sistemi juridik dhe administrativ perandorak, ku pushteti qendror osman njihte dhe rregullonte të drejtat fetare të komuniteteve jomyslimane përmes sistemit të mileteve. Ky është një fakt bazë për këdo që merret me historinë osmane mbi bazën e burimeve. Por shkrime të tilla si ky i Latifit nuk i përkasin kësaj kategorie. Ato nuk janë analiza historike të mbështetura në burime, por interpretime të ndërtuara jashtë kontekstit historik.

Një sugjerim për kinse profesorin Latifi, i cili vërtet është bërë për t’u dhimbsur kur shihet në çfarë derexhe ka rënë

Meqë në shkrimin e tij nuk paraqitet asnjë referencë konkrete arkivore, do të ishte e dobishme që, para se të nxirren përfundime për Maliq Pashën dhe Jashar Pashën, të konsultohen edhe disa prej burimeve themelore që trajtojnë këtë periudhë dhe këtë çështje.

Ndër to janë veprat e historianit serb Branko Peruniëië: “Zulumi aga i begova u Kosovskom vilajetu” (Zullumi i agallarëve dhe i beglerëve në vilajetin e Kosovës), Beograd 1989 dhe “Pisma srpskih konzula iz Prištine (1890–1900)” (Letrat e konsujve serbë nga Prishtina (1890-1900), Beograd 1985.

Si përfundim

Maliq Pashë dhe Jashar Pashë Gjinolli mund dhe duhet të kritikohen si figura historike. Ata ishin pjesë e një sistemi politik të kohës së tyre dhe, si çdo figurë historike, kishin edhe kundërthënie, kufizime dhe konflikte. Por historia nuk shkruhet duke zgjedhur vetëm episodet që i përshtaten një narrative ideologjike dhe duke heshtur faktet që e kundërshtojnë atë.

Kur anashkalohen burimet osmane, shqiptare, serbe dhe të tjera, kur ngatërrohen figurat historike dhe kronologjia, atëherë nuk kemi më një analizë historike, por një interpretim të ndërtuar mbi përzgjedhje selektive. Historia nuk duhet përdorur për të luftuar trashëgiminë historike të shqiptarëve, as për të demonizuar figura të së kaluarës sipas nevojave të sotme.

Në shkrimet dhe paraqitjet publike të Blerim Latifit vërehet qartë ndikimi i pozicionimit të tij publik dhe i rrymës me të cilën është rreshtuar, si dhe afërsia e tij me të ashtuquajturën “Lëvizja e Deçanit”, pjesë e së cilës është bërë. Pikërisht kjo e bën edhe më të domosdoshme që trajtimi i çështjeve historike të mbështetet në burime dhe në metodologji shkencore, sepse shkrime të tilla dëshmojnë një prirje të theksuar tendencioze dhe një qasje që më shumë nxit përplasje e polemika sesa i shërben sqarimit të së vërtetës historike.

Në këtë frymë duhet kuptuar edhe ky reagim yni: jo si një debat personal me autorin, por si një kundërvënie ndaj një mënyre të trajtimit të historisë që, përmes përzgjedhjes së njëanshme të fakteve, rrezikon të deformojë perceptimin për trashëgiminë historike shqiptare.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK