Gjermania i jep mbështetje kundërkandidatit të Infantinos për president të FIFA-s

Gjermania i jep mbështetje kundërkandidatit të Infantinos për president të FIFA-s

Sport November 18, 2026 - 23:03

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka konfirmuar mbështetjen e plotë për kandidaturën e presidentit të Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, në garën për kreun e FIFA-s.

Presidenti i DFB-së, Bernd Neuendorf, bëri të ditur se Gjermania do ta mbështesë Diallon në zgjedhjet që pritet të mbahen në muajin mars, ku ai synon të sfidojë presidentin aktual, Gianni Infantino.

Diallo e kishte pranuar të hënën mbështetjen e UEFA-s për kandidaturën e tij, ndërsa gjithnjë e më shumë federata evropiane pritet t’i bashkohen kësaj nisme.

“Philippe Diallo përfaqëson një qasje të përgjegjshme ndaj futbollit dhe është i vendosur të përballet me sfidat që e presin këtë sport në vitet e ardhshme. Ai ka përvojë të madhe në futbollin ndërkombëtar dhe gëzon respekt të gjerë në të gjithë futbollin evropian. Qasja e tij ndaj këtij posti dhe vlerat që përfaqëson janë dukshëm të ndryshme nga ato të presidentit aktual të FIFA-s”, deklaroi Neuendorf.

Infantino është përballur me kundërshtime të shumta pas tentativës së tij të dështuar në korrik për të përfshirë investitorë privatë në një strukturë të re komerciale, e cila do të menaxhonte të drejtat e lidhura me garat e mëdha, përfshirë Kupën e Botës.

UEFA fillimisht kishte kërcënuar me bojkotimin e turneve të FIFA-s, por më pas mori garanci se planet për shitjen e aksioneve në Kupën e Botës dhe garat e tjera madhore nuk do të riktheheshin.

“Ne duam që futbolli të ndryshojë për të mirë. Duam një FIFA që i shërben futbollit dhe vepron në interes të të gjitha federatave anëtare”, shtoi Neuendorf.

Përveç Diallos dhe Infantinos, në garën për presidencën e FIFA-s pritet të përfshihen edhe presidenti i nderit i Federatës Japoneze të Futbollit, Kozo Tashima, si dhe ish-mbrojtësi i Zvicrës, Ramon Vega.

Ndërkohë, mbështetjen për Diallon e ka konfirmuar edhe Federata Holandeze e Futbollit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të bëhen publike qëndrimet e federatave të tjera evropiane.