Tragjike: Boksieri irlandez Lee Reeves vdes në moshën 31-vjeçare, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të rënda
Bota e boksit është tronditur nga lajmi për vdekjen e Lee Reeves.
Boksieri irlandez ka vdekur në moshën 31-vjeçare, rreth tre muaj pasi pësoi një lëndim të rëndë në tru gjatë një meçi kundër bashkëkombësit Gary Cully, më 1 gusht në Dublin.
Reevesi u nokautua në raundin e dhjetë dhe u largua nga ring-u me barelë.
Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent dhe qëndroi në koma të induktuar për disa muaj, ndërsa familjarët vazhdimisht shpresonin në përmirësimin e gjendjes së tij.
Fatkeqësisht, gjatë fundjavës ai pësoi edhe një infeksion, të cilit nuk arriti t’i mbijetonte.
Ai ndërroi jetë të hënën në spitalin e qytetit të tij, Limerick, i rrethuar nga familjarët.
Reevesi kishte zhvilluar 18 meçe profesioniste, duke regjistruar 16 fitore, prej të cilave 11 me nokaut.
Përveç karrierës në boks, ai ishte i angazhuar edhe në aktivitete për ndërgjegjësimin mbi shëndetin mendor.
Vdekja e tij ka shkaktuar pikëllim të madh në komunitetin sportiv irlandez. /Zëri