Ancelotti zbulon arsyen e vërtetë pse Raphinha nuk u rikthye te Barça, edhe pas supsendimit

Ancelotti zbulon arsyen e vërtetë pse Raphinha nuk u rikthye te Barça, edhe pas supsendimit

Sport November 16, 2026 - 23:36

Sulmuesi i Barcelonës, Raphinha, do të qëndrojë me Kombëtaren e Brazilit për miqësoren e së martës ndaj Singaporit, pavarësisht se është i suspenduar pas kartonit të kuq të marrë në humbjen 3-2 ndaj Japonisë.

Trajneri Carlo Ancelotti ka sqaruar se ky vendim është marrë me dëshirën e vetë futbollistit, duke i dhënë fund spekulimeve se Federata Braziliane e Futbollit (CBF) po e pengonte atë të rikthehej më herët në Barcelonë.

Çështja ka tërhequr vëmendje pasi Raphinha nuk do të ketë të drejtë të luajë ndaj Singaporit, çka do t’i mundësonte të udhëtonte më herët drejt Barcelonës.

Megjithatë, kapiteni i Brazilit ka zgjedhur të qëndrojë pranë bashkëlojtarëve të tij deri në përfundimin e grumbullimit.

Duke folur para ndeshjes ndaj Singaporit, Ancelotti e vlerësoi përkushtimin e sulmuesit të Barcelonës ndaj Kombëtares dhe shpjegoi arsyen pse ai nuk u largua nga ekipi pas përjashtimit.

“Raphinha tregoi shumë dashuri për Kombëtaren. Ai u përjashtua me karton të kuq, por dëshironte të qëndronte me ekipin. Ky është një sinjal shumë i rëndësishëm se grupi, veçanërisht liderët e tij, ku bën pjesë edhe ai, është një grup shumë i shëndetshëm”, deklaroi Ancelotti, sipas “SPORT”.

Këto deklarata ofrojnë një këndvështrim tjetër nga raportimet e para rreth qëndrimit të Raphinhas në Singapor.

Koordinatori i CBF-së, Rodrigo Caetano, kishte konfirmuar më herët se sulmuesi do të qëndronte me skuadrën, por pa sqaruar arsyen pse futbollisti i Barcelonës nuk do të kthehej më herët në klub.

Megjithatë, shpjegimi i Ancelottit e bëri të qartë se ishte vetë vendimi i Raphinhas për të qëndruar dhe se nuk kishte pasur ndikim nga faktorë të tjerë.

Raphinha u ndëshkua me karton të kuq pasi protestoi ndaj vendimit të gjyqtarit për ta pranuar golin e Japonisë në minutat shtesë.

Sulmuesi i Barcelonës ishte zëvendësuar para se të ndodhte incidenti, por reagimi i tij bëri që gjyqtari t’i tregonte kartonin e kuq.

Brazili më pas pësoi humbje 3-2, pasi shpërdoroi epërsinë prej dy golash, me Tatsuhiro Sakamoton që realizoi golin vendimtar në minutën e 91-të.

Pas ndeshjes, Raphinha kërkoi falje për përjashtimin e tij, por njëkohësisht shprehu pakënaqësinë ndaj gjykimit. Suspendimi nënkupton se ai nuk do të mund të luajë në miqësoren e radhës të Brazilit, e planifikuar për 17 nëntor.

Pritet që Raphinha të rikthehet në Barcelonë pas ndeshjes ndaj Singaporit dhe t’i bashkohet skuadrës së Hansi Flickut.

Angazhimi i tij i radhës pritet të jetë ndeshja e La Ligës ndaj Villarrealit, që do të zhvillohet të dielën, më 22 nëntor, në “Spotify Camp Nou”.

Për Barcelonën, fakti që Raphinha nuk do të luajë ndaj Singaporit është një lajm pozitiv, pasi në këtë mënyrë zvogëlohet rreziku që ai të pësojë ndonjë lëndim në këtë ndeshje.