“E kemi turpëruar veten mjaftueshëm”, Romario kërkon largimin e Ancelottit nga Brazili
Humbja e Brazilit ndaj Japonisë ka shkaktuar reagime të ashpra në vendin e futbollit, ndërsa legjenda Romario ka dalë hapur kundër Carlo Ancelottit.
Ish-sulmuesi i njohur beson se trajneri italian duhet të largohet nga drejtimi i “Seleçaos”, pas disfatës 3:2 në miqësoren e zhvilluar në Singapor.
“Ancelotti, mjaft më! Bëji gati valixhet dhe largohu!”, ka qenë mesazhi i Romarios, i cili ka theksuar se suksesi i trajnerit në futbollin e klubeve nuk është dëshmi e mjaftueshme për punën e tij me kombëtaren.
Sipas tij, Brazili nuk mund të vazhdojë të presë dhe të rrezikojë me shpresën se rezultatet do të përmirësohen.
Kritikat e fituesit të Botërorit të vitit 1994 kanë shkuar edhe në drejtim të presidentit të federatës, Samir Xaud. Romario i ka kërkuar atij të marrë përgjegjësi dhe të mos lejojë që kombëtarja të vazhdojë në këtë mënyrë.
“Nuk mund të luash me fanellën e kombëtares. E kemi turpëruar veten mjaftueshëm dhe nuk mund të rrezikojmë ta hedhim poshtë edhe një Kupë Bote”, ka shkruar ai.
Në ndeshjen ndaj Japonisë, Brazili pësoi dy gola brenda 20 minutave të para, por Vinicius Junior me dy realizime arriti ta rikthente baraspeshën.
Megjithatë, Tatsuhiro Sakamoto shënoi në fund për fitoren 3:2 të japonezëve. Ancelotti dhe Raphinha u përjashtuan me kartonë të kuq pas protestave ndaj vendimit të gjyqtarit. /Zëri