Foda për ndeshjen ndaj Izraelit: Duhet të luajmë në nivelin më të lartë për të fituar
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar kundërshtarin, ka folur për mungesat në mbrojtje dhe gjendjen e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në prag të përballjes së së shtunës nga ora 15:00.
Trajneri gjerman është shprehur i kënaqur me punën e skuadrës në stërvitje, ndërsa ka konfirmuar se Kosova do të ketë disa mungesa në repartin defensiv, duke përfshirë Lumbardh Dellovën dhe Ilir Krasniqin.
“Ekipi në përgjithësi ka bërë një përshtypje të mirë në stërvitje, tani kemi stërvitjen përfundimtare, në mënyrë taktike do të përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme. I kemi disa mungesa në mbrojtje si Dellova, Ermal Krasniqi, por kemi shumë lojtarë në dispozicion, dhe ne ju besojmë atyre, por mund të ketë edhe ndonjë surprizë që mund të ftohet”, ka thënë fillimisht Foda në konferencë.
Foda është ndalur edhe te gjendja e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke thënë se është shumë më e mirë sesa në ndeshjen e kaluar ndaj Austrisë.
“Fusha është në gjendje të mirë, shumë të mirë. Shumë më të mirë se në ndeshjen ndaj Austrisë që nuk ka qenë e mirë. Lojtarët e Izraelit nuk kanë arsye të ankohen”, ka përfunduar përzgjedhësi i Kosovës.
Përzgjedhësi i Kosovës ka vlerësuar kundërshtarin e radhës, Izraelin, duke paralajmëruar se Dardanët duhet të jenë në nivelin më të lartë për të marrë fitoren në stadiumin “Fadil Vokrri”.
“Izraeli ka ekip të mirë dhe të përgatitur mirë. Ndeshjet e kaluara ishin me rezultat të ngushtë. Të gjitha ndeshjet ishin afër njëra-tjetrës. Duhet të luajmë në nivelin më të lartë për të fituar”, ka përfunduar gjermani.