“Largohem me kokën lart, dhashë gjithçka për vendin tim” - letra e lamtumirës e Cristiano Ronaldos

“Largohem me kokën lart, dhashë gjithçka për vendin tim” - letra e lamtumirës e Cristiano Ronaldos

Sport November 05, 2026 - 12:35

Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se ka ardhur momenti për t’i dhënë fund aventurës së tij me Përfaqësuesen e Portugalisë, duke mbyllur një histori të jashtëzakonshme, që nisi në vitin 2003.

Kapiteni portugez e shoqëroi vendimin me një video dhe një letër emocionuese, përmes së cilës iu drejtua bashkëkombësve të tij, duke kujtuar rrugëtimin e gjatë me fanellën e kombëtares.

Ronaldo e cilësoi një vendim të vështirë, pasi për 23 vjet kishte pasur privilegjin të mbante fanellën me numrin 7 dhe të përfaqësonte Portugalinë në stadiumet e gjithë botës.

Ai bëri të qartë se kjo fanellë nuk kishte qenë asnjëherë vetëm e tij, por u përkiste të gjithë portugezëve dhe tashmë ishte koha që t’ia linte gjeneratave të ardhshme.

Në letrën e tij, CR7 kujtoi se nga gushti i vitit 2003 deri në ditën e lamtumirës kishte përjetuar gjithçka: fitore të paharrueshme, humbje të dhimbshme, gola, rekorde dhe trofe.

Megjithatë, ai theksoi se kujtimet më të rëndësishme nuk lidhen vetëm me futbollin, por me njerëzit që e kishin shoqëruar gjatë kësaj aventure.

Ylli portugez pranoi se kishte pasur edhe momente dështimi dhe raste kur nuk kishte arritur t’i bënte bashkëkombësit të lumtur, por insistoi se asnjëherë nuk ishte dorëzuar dhe se krenaria për ta përfaqësuar Portugalinë nuk ishte zbehur.

Një pjesë të veçantë të mesazhit ia kushtoi bashkëlojtarëve, duke i falënderuar për çdo vrapim, përqafim, diskutim, fitore dhe humbje.

Ai falënderoi gjithashtu të gjithë trajnerët, drejtuesit, stafin mjekësor dhe punëtorët që kishin kontribuuar në sukseset e kombëtares.

Familja ishte një tjetër pjesë e rëndësishme e letrës. Ronaldo pranoi se të afërmit e tij kishin ndarë sakrificat dhe mungesat e shkaktuara nga angazhimet me Portugalinë, duke theksuar se pa mbështetjen e tyre nuk do të kishte arritur kaq larg.

Një prej kujtimeve që do ta marrë me vete përgjithmonë është momenti kur fillon himni kombëtar.

Ai e përshkroi emocionin e të qenit përballë tifozëve, fëmijëve, prindërve dhe gjyshërve portugezë, duke theksuar se në ato momente nuk ekzistonin dallimet, por vetëm dashuria për Portugalinë.

“Golat kalojnë, trofetë mbeten në muze dhe rekordet një ditë thyhen, por vendi që zëmë në zemrat e njerëzve është diçka që koha nuk mund ta fshijë”, ishte një nga mesazhet më domethënëse të Ronaldos.

Në përfundim, ai bëri të ditur se largohet krenar për gjithçka që ka arritur dhe me bindjen se ka dhënë maksimumin për vendin e tij.

Ëndrra e tij kishte nisur në Madeira, kur ishte vetëm një fëmijë që vraponte pas topit. Pas 23 vjetësh, ai e mbyll këtë kapitull duke e konsideruar privilegj përfaqësimin e Portugalisë.

“Kam kaluar jetën duke punuar për t’u bërë lojtari më i mirë në botë. Sot e kuptoj se fitorja më e madhe ishte nderi për ta përfaqësuar vendin më të mirë në botë. Portugalia do të jetë gjithmonë brenda meje. Deri në takimin e fundit”, përfundoi legjenda portugeze. /Zëri