Kompany e pësoi edhe një lëndim në shpatull, përjashtohen infarkti dhe sulmi në tru

Kompany e pësoi edhe një lëndim në shpatull, përjashtohen infarkti dhe sulmi në tru

Sport October 28, 2026 - 19:32

Vincent Kompany vazhdon të qëndrojë në spital, ndërsa po kryhen ekzaminime të mëtejshme për të zbuluar shkakun e rrëzimit të tij të papritur.

Sipas raportimeve të mediave gjermane, trajneri i Bayern Munichut ka pësuar edhe një lëndim në shpatull gjatë rënies në tokë.

Tekniku belg u rrëzua të premten, më 23 tetor, teksa po ndiqte një stërvitje të ekipit rezervë të Bayern Munichut.

Ai u dërgua menjëherë në spital, ku vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Sipas raportimeve të fundit, mjekët kanë përjashtuar mundësinë e një infarkti apo sulmi në tru, por ende nuk kanë përcaktuar shkakun e saktë të incidentit.

Kompany pësoi edhe zhvendosje të shpatullës

Sipas gazetës gjermane TZ, 40-vjeçari ka zhvendosur shpatullën kur u rrëzua në ambientet stërvitore të klubit bavarez.

Raportohet gjithashtu se Kompany kishte pasur dhimbje të forta koke gjatë ditës së incidentit, ndaj mjekët po kryejnë edhe ekzaminime neurologjike për të kuptuar se çfarë e shkaktoi gjendjen e tij.

Trajneri kishte pasur probleme shëndetësore edhe gjatë javës paraprake, kur ishte prekur nga një infeksion viral.

Megjithatë, deri tani nuk është bërë e ditur një diagnozë përfundimtare.

Bayern e pret rikthimin, por pa një datë të caktuar

Ndihmëstrajneri Aaron Danks ka dhënë lajme inkurajuese pas vizitës që i bëri Kompanyt në spital.

“Ai është në gjendje të mirë shpirtërore. Duket sikur po përmirësohet çdo ditë. Kjo është shumë pozitive”, deklaroi Danks.

Megjithatë, ende nuk ka një afat të përcaktuar për rikthimin e trajnerit belg në pankinë.

Drejtuesit e Bayern Munichut kanë bërë të qartë se shëndeti i tij është përparësia kryesore dhe se do t’i jepet gjithë koha e nevojshme për rikuperim.

Sipas raportimeve, Kompany mund të mungojë për disa javë, ndërsa stafi i tij teknik do të vazhdojë të drejtojë ekipin gjatë kësaj periudhe.

Shkaku i saktë i rrëzimit mbetet ende i paqartë. /Zëri