Shkëndija i lidh me kontrata profesionale dy talentet e shkollës së futbollit
KF Shkëndija vazhdon të investojë në talentet e shkollës së saj të futbollit. Mesfushori Lirian Xheladini dhe mbrojtësi i majtë Anes Abdurahmani janë lidhur me ekipin e parë përmes kontratave profesionale, pas vlerësimit pozitiv të zhvillimit dhe potencialit të tyre nga kryesia dhe departamenti sportiv i klubit.
Lirian Xheladini, i cili pasnesër mbush 19 vjeç, ka firmosur kontratë dyvjeçare me Shkëndijën. Mesfushori debutoi në ndeshje zyrtare me ekipin e parë gjatë sezonit të kaluar dhe është aktivizuar edhe në kampanjën aktuale.
“Jam shumë i lumtur për këtë hap dhe mirënjohës për besimin e klubit. Kontrata është motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim, për t’u përmirësuar çdo ditë dhe për të dhënë maksimumin për fanellën kuqezi”, shprehet Xheladini.
Abdurahmani, 18 vjeç, është një nga emrat e rinj që kanë spikatur këtë sezon. Ai debutoi në fitoren 4:1 ndaj Bregallnicës dhe deri tani ka regjistruar pesë paraqitje me ekipin e parë.
Abdurahmani ka nënshkruar kontratë 3,5 vjeçare, duke u konsideruar një nga shpresat e klubit për të ardhmen.
“Këto kontrata janë motiv shtesë për ne që jemi rritur në shkollën e Shkëndijës. Do të vazhdojmë të punojmë fort, të përparojmë si futbollistë dhe ta shpërblejmë besimin e klubit me paraqitje sa më të mira”, shprehet Abdurahmani.
Drejtori sportiv i Shkëndijës, Erhan Selimi, e vlerëson këtë hap si dëshmi të përkushtimit të klubit për zhvillimin e talenteve të veta.
“Jemi të lumtur që formalizojmë kontratat profesionale me dy futbollistë të rinj, të cilët e kanë dëshmuar potencialin e tyre. Shpresojmë që ky hap të jetë motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim dhe për të avancuar drejt ekipit të parë edhe më shumë talente nga shkolla jonë e futbollit”, shprehet Selimi.
Me këto dy kontrata, Shkëndija konfirmon rëndësinë që i kushton zhvillimit të futbollistëve të rinj dhe krijimit të rrugëve konkrete për promovimin e tyre drejt ekipit të parë. /Zëri