Shkëndija fiton pa problem ndaj Skopjes në udhëtim

Shkëndija fiton pa problem ndaj Skopjes në udhëtim

Sport October 18, 2026 - 18:40

Kuqezinjtë fitojnë 3:1 ndaj Skopjes në transfertë, duke regjistruar një tjetër fitore të rëndësishme dhe duke u shkëputur të vetëm në kreun e tabelës me 23 pikë.

Shkëndija triumfon 3:1 në Shkup, kuqezinjtë shkëputen të vetëm në krye

Fitorja e 7-të sezonale erdhi me golat e Krasniqit, Dimoskit dhe Tambës

Bojan Dimoski gjen golin e parë në fanellën kuqezi 

Vendasit realizuan golin e vetëm me Angelovin në fund të pjesës së parë

Ibraimi humbi penalti në minutën e 74-t, por pa ndikim në epilogun final

Si lider me tre pikë para rivalëve, të shtunën presim Vardarin në Gostivar

Shkëndija kthehet te triumfi në LPFMV, duke marrë tri pikë të reja në transfertën ndaj Skopjes, në kuadër të xhiros së 10-të. Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrë të shkëlqyer dhe brenda nëntë minutave krijuan epërsi të dyfishtë.

Fillimisht, Kryeziu depërtoi bukur në krahun e majtë dhe harkoi saktë në zonë, ku Krasniqi me kokë shënoi për 0:1. Pak minuta më vonë, pas një topi të shkëlqyer të Rafës, Dimoski dyfishoi epërsinë. Vendasit reaguan dhe përmes Angelovit ngushtuan rezultatin në 1:2, pas një goditjeje nga këndi.

Në pjesën e dytë, Shkëndija riktheu epërsinë prej dy golave. Krasniqi këtë herë shërbeu me një harkim të shkëlqyer, ndërsa Tamba me kokë realizoi për 1:3. Tanët patën mundësi të shënonin edhe golin e katërt, por Besart Ibraimi nuk e konkretizoi penalltinë e fituar pas goditjes së Kryeziut.

Me këtë fitore, Shkëndija arrin në kuotën e 23 pikëve dhe shkëputet e vetme në krye të renditjes, duke konfirmuar ambiciet për të vazhduar rrugëtimin në kreun e kampionatit.

Ndeshja e radhës

Shkëndija-Vardari

Gostivar | 24 tetor 2026 | 14:00

SKOPJE-SHKËNDIJA 1:3 (1:2)

Stadiumi në “Autokomandë” të Shkupit

Gjyqtar: Stojançe Stojanov

Golashënues: Angelov 44’ (Skopje), ndërsa Krasniqi 2’, Dimoski 9’ dhe Tamba 52’ (Shkëndija)

SKOPJE: Naumoski (c), Mecinoviq, Bozhinovski (Papalieski 90’), Cvetkov, Angelov (Sekovski 90’), Nikollovski (Grozdanovski 79’), Trajçevski, Gordiq, Adem, Poposki (Murxheski 79’), Brdarovski.

Trajner: Ivan Varadinovski

SHKËNDIJA: Gaye, Trumçi, Manev, Meliqi, Dimoski (Ibraimi 71’), Rafa, Zejnullai (c), Krasniqi, Kryeziu (Kërstevski 77’), Tamba, Gjorgjievski (Ndzengue 59’).

Trajner: Artim Pollozhani