Presidenti i Villarrealit: Rodri ishte me ne për pesë vjet, por donte të përparonte dhe nuk do ta pengonim
Fernando Roig, presidenti i Villarrealit, ka folur për mesfushorin Rodri Hernández, duke kujtuar periudhën e tij te klubi spanjoll dhe rrugëtimin që e çoi drejt majave të futbollit botëror.
Në një intervistë për gazetën britanike The Guardian, Roig ka vlerësuar ish-futbollistin e Villarrealit, i cili pas largimit nga klubi kaloi te Atlético Madridi dhe më pas te Manchester City, ku fitoi edhe Topin e Artë.
“Ne kishim këtu një fitues të Topit të Artë. Rodri qëndroi me ne për pesë vjet. Ai dëshironte të përparonte dhe ne nuk do ta pengonim. U largua te Atlético Madridi, prej aty shkoi te Manchester City dhe fitoi Topin e Artë. Kemi kujtime shumë të mira për të dhe ruajmë një marrëdhënie të shkëlqyer. Ndihem krenar kur e shoh duke fituar Kupën e Botës”, deklaroi Roig.
Presidenti i Villarrealit, i cili drejton klubin prej 30 vjetësh, ka folur edhe për emocionet që përjeton gjatë ndeshjeve.
“Unë nuk nervozohem. Është edhe më keq: shqetësohem dhe bëhem shumë në ankth. Vuaj shumë gjatë ndeshjeve”, u shpreh ai.
Roig pranoi se do të përjetojë emocione të ngjashme edhe në përballjen e Villarrealit me Liverpoolin në Ligën e Kampionëve, në Anfield.
“Është emocionuese të luash kundër Liverpoolit. Do të jetë hera e pestë që përballemi me ta dhe hera e tretë në Anfield. Është shumë stresuese”, përfundoi presidenti i klubit spanjoll. /Zëri