Mourinho e thumbon Barcelonën:

Mourinho e thumbon Barcelonën: "E provova vet rastin Negreira, mund të jetë skandali më i madh i korrupsionit në historinë e referimit”

Sport October 13, 2026 - 23:00

José Mourinho e ka sulmuar ashpër futbollin spanjoll për mënyrën se si po trajtohet rasti Negreira, duke e krahasuar situatën me skandalin e famshëm “Calciopoli” në Itali.

Trajneri i Real Madridit foli për këtë çështje në një intervistë për “Prime Video Italia”, në prag të ndeshjes kundër Romës, duke theksuar se në Itali pati pasoja konkrete, ndërsa në Spanjë, sipas tij, ende nuk ka ndodhur asgjë.

“Unë do të them vetëm një gjë: i përgëzoj italianët. E dini pse? Sepse është i vetmi vend ku një skandal si Calciopoli është trajtuar si i tillë, në të gjitha kuptimet e fjalës”, deklaroi Mourinho.

Portugezi iu referua rastit Negreira, që lidhet me pagesat e Barcelonës ndaj kompanive të lidhura me José María Enríquez Negreira, ish-zëvendëspresident i Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë.

Sipas të dhënave të hetimit të cituara nga mediat, pagesat kanë kaluar 7.5 milionë euro në periudhën 2001–2018.

Barcelona ka mohuar çdo shkelje, duke argumentuar se pagesat kishin të bënin me raporte teknike dhe këshillime për arbitrimin.

Mourinho, megjithatë, nuk i kurseu kritikat për mungesën e pasojave që ai pretendon se ka pasur deri më tani.

“Në Spanjë, të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur, por situata ende nuk është sqaruar. Deri tani nuk ka ndodhur asgjë. Absolutisht asgjë”, theksoi trajneri portugez.

I pyetur nëse pret ndryshime në të ardhmen, Mourinho e ashpërsoi edhe më shumë qëndrimin e tij.

“Nëse nuk ndodh asgjë, atëherë ky mund të jetë skandali më i madh i korrupsionit në historinë e arbitrimit botëror”, deklaroi ai.

Mourinho: E përjetova rastin Negreira te Real Madridi

Trajneri portugez kishte folur edhe më parë për këtë çështje, duke kujtuar periudhën kur drejtonte Real Madridin nga viti 2010 deri më 2013.

“Unë e përjetova periudhën e rëndësishme të rastit Negreira këtu te Real Madridi. Askush nuk e dinte, por ne e përjetuam. Ndodhi. Unë u largova më pas dhe tani të gjithë e dinë”, kishte deklaruar Mourinho në një intervistë për “Corriere dello Sport”.

Rasti Negreira mbetet një nga çështjet më të diskutuara të futbollit spanjoll.

Hetimet lidhen me pagesat e Barcelonës ndaj ish-zyrtarit të arbitrimit, por ato nuk përbëjnë vetvetiu provë se ndeshjet janë manipuluar.

Mourinho kërkon që çështja të marrë një përgjigje konkrete, duke përdorur si shembull “Calciopolin”, skandalin që tronditi futbollin italian dhe që çoi në dënime të rënda, përfshirë zbritjen e Juventusit në Serie B. /Zëri