Messi nuk ndalet, shkëlqen me dy gola te Inter Miami pas lamtumirës nga Argjentina
Lionel Messi ka dhuruar një tjetër paraqitje fantastike, vetëm pak ditë pasi i dha lamtumirën kombëtares së Argjentinës.
Ylli argjentinas shënoi dy gola në fitoren e thellë 4-0 të Inter Miamit ndaj DC United, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në kuadër të MLS-së.
Pas dy golave të Luis Suarezit në pjesën e parë, Messi mori skenën në fraksionin e dytë të lojës.
Në minutën e 47-të, ai shfrytëzoi asistimin e Suarezit për të dërguar topin në rrjetë, ndërsa në minutën e 60-të realizoi sërish, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.
Kjo fitore ishte veçanërisht e rëndësishme për Inter Miamin, që i dha fund një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore në MLS dhe u ngjit në vendin e dytë në Konferencën e Lindjes.
Messi po kalon një periudhë të shkëlqyer edhe në aspektin individual.
Me dy golat e realizuar ndaj DC United, ai ka arritur në kuotën e 23 golave në këtë sezon të MLS-së, duke vazhduar garën për Këpucën e Artë dhe çmimin e lojtarit më të mirë të kampionatit.
Kjo paraqitje vjen vetëm katër ditë pas një mbrëmjeje emocionuese për 39-vjeçarin, i cili u përshëndet nga kombëtarja e Argjentinës në fitoren 3-0 ndaj Beninit.
Në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e kampionëve të botës, Messi shënoi një gol dhe dhuroi dy asistime.
Pas një karriere 21-vjeçare me Argjentinën, ku fitoi Kupën e Botës dhe dy herë Kupën e Amerikës, legjenda e futbollit tashmë e ka përqendruar vëmendjen te Inter Miami, me synimin për ta ndihmuar klubin amerikan të vazhdojë rrugëtimin drejt titullit të MLS-së. /Zëri