FFK-ja e pëson keq nga UEFA, dënohet me 35 mijë euro gjobë shkaku i sjelljeve të tifozëve

FFK-ja e pëson keq nga UEFA, dënohet me 35 mijë euro gjobë shkaku i sjelljeve të tifozëve

Sport October 09, 2026 - 19:18

Shtëpia e futbollit evropian, UEFA e ka dënuar me gjobë Federatën e Futbollit të Kosovës, pas shkeljeve të tifozëve gjatë ndeshjes Austri – Kosovë.

Komisioni disiplinor i UEFA-s e ka dënuar FFK-në me një gjobë prej 35 mijë eurosh, pas dy akuzave të ngritura ndaj saj.

Për “shfaqje mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive”, FFK-ja u dënua me 15 mijë euro, derisa për “sjellje raciste dhe/ose diskriminuese” ajo u dënua me 20 mijë euro, si dhe i ndalohet shitja e biletave për tifozët e saj në një ndeshje si mysafire.

Ndalimi i shitjes së biletave për tifozët e Kosovës për një ndeshje si mysafire është pezulluar për një periudhë prove prej dy vjetësh, duke filluar nga data e sotme.

KY ËSHTË NJOFTIMI I PLOTË I UEFA-s:

“Akuzat ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës

Shfaqja e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive (pankarta), sipas nenit 16(2)(e) të Rregullores Disiplinore.

Sjellje raciste dhe/ose diskriminuese, sipas nenit 14(2) të Rregullores Disiplinore.

Vendimi:

– Gjoba prej 15.000 eurosh ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.

– Gjoba prej 20.000 eurosh ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ndalimi i plotë i shitjes së biletave për tifozët e saj për një ndeshje si mysafire në garat e përfaqësueseve të UEFA-s, për shkak të sjelljes raciste dhe/ose diskriminuese të tifozëve të saj”, shkruhet në faqen zyrtare të UEFA-s.

Këto akuza që janë ngritur ndaj Kosovës vijnë nga ndeshja e 27 shtatorit, e luajtur në Vjenë, mes Austrisë dhe Kosovës.

Kjo ndeshje përfundoi 3-1 në të mirë të vendasve dhe u luajt në kuadër të xhiros së dytë të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Pas katër ndeshjeve në këtë kompeticion, Kosova ka pesë pikë të tubuara, derisa Austria i ka tetë sosh. Austriakët i prijnë Grupit B3, teksa Kosova është e dyta.