Presidenti i Federatës portugeze: Ronaldo do të rikthehet së shpejti te Portugalia

Presidenti i Federatës portugeze: Ronaldo do të rikthehet së shpejti te Portugalia

Sport October 10, 2026 - 18:41

Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit (FPF), Pedro Proença, ka konfirmuar se ekziston një dëshirë e madhe që Cristiano Ronaldo të rikthehet sa më shpejt në Kombëtaren e Portugalisë, pavarësisht polemikave të fundit.

Pas largimit të sulmuesit nga grumbullimi i përfaqësueses portugeze, për shkak të mosmarrëveshjeve me përzgjedhësin Jorge Jesus, Federata ka nisur procedurë disiplinore ndaj tij dhe e ka pezulluar përkohësisht.

Megjithatë, drejtuesit e futbollit portugez nuk e fshehin dëshirën për ta parë sërish kapitenin me fanellën e kombëtares.

“Ky është momenti për qetësi dhe maturi. Të gjithë kemi dëshirë që kapiteni ynë të rikthehet sa më shpejt pranë nesh”, ka deklaruar Proença, në fjalët e transmetuara nga mediat portugeze.

Ai ka theksuar se procedura disiplinore do të zhvillohet në mënyrë të pavarur, ndërsa Federata do të vazhdojë punën për të zgjidhur situatën.

“Ekziston një vullnet i madh që kapiteni ynë të rikthehet në Kombëtare. Kjo dëshirë është shprehur edhe nga trajneri ynë. Ai ka thënë se, për sa kohë Ronaldo është në gjendje të mirë sportive, do ta kemi kapitenin me ne”, ka shtuar presidenti i FPF-së.

Proença shpreson që Ronaldo dhe pjesa tjetër e ekipit të ribashkohen në grumbullimin e ardhshëm, duke lënë pas keqkuptimet e ditëve të fundit.

Portugalia synon të fitojë sërish Ligën e Kombeve, ndërsa rikthimi i yllit të Al-Nassr shihet si një objektiv i rëndësishëm për përfaqësuesen.

Megjithatë, mbetet të shihet se si do të përfundojë procedura disiplinore dhe nëse Ronaldo do të jetë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme të Portugalisë. /Zëri