Selektori i Shqipërisë dhe Rey Manaj flasin në konferencë: Të fitojmë ndaj San Marinos, ekzistojnë mundësi për vendin e parë

Selektori i Shqipërisë dhe Rey Manaj flasin në konferencë: Të fitojmë ndaj San Marinos, ekzistojnë mundësi për vendin e parë

Sport October 05, 2026 - 20:00

Në prag të ndeshjes së katërt të grupit ndaj San Marinos në Ligën e Kombeve, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, dhe sulmuesi Rey Manaj dolën në konferencën për mediat nga stadiumi “Air Albania”.

Trajneri i kombëtares, Rolando Maran, vlerësoi progresin e skuadrës dhe përkushtimin e lojtarëve në përgatitje, duke theksuar se ekipi po rritet dhe po krijon një grup gjithnjë e më të konsoliduar.

Në prag të sfidës me San Marinon, trajneri Maran theksoi se Shqipëria do të vijojë të luftojë për vendin e parë, duke kërkuar të ruajë të njëjtën dëshirë, përqendrim dhe qasje të treguar në ndeshjen ndaj Finlandës.

“Kur dëgjoj të thuhet e thjeshtë më vjen të rrënqethem, sepse nuk ka asnjë ndeshje të thjeshtë. Mund të ketë ndeshje pak më të vështira, ose më impenjative, ose më pak impenjative, por nuk ka ndeshje të thjeshta në futboll. Sigurisht ndaj San Marinos e kemi ulur pak ritmin. Kemi luajtur mirë 20 minutat e para, kemi arritur dhe të shënojmë dhe ishte një lloj llogaritje, le të themi, në lidhje me atë se çfarë kishim bërë deri tani”, tha ai fillimisht.

“Mendoj që kemi bërë një progres të mirë nga ndeshja e parë dhe më tej. Kundër San Marinos në sfidën e parë, pasi e kishim siguruar fitoren, na u desh të bënim disa ndryshime për të ruajtur dhe menaxhuar edhe lodhjen. Kjo qasje na shërbeu shumë kundër Finlandës, ku luajtëm për një kohë të gjatë me 10 lojtarë. Mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë. Qëllimi im është që skuadra të aplikojë atë çka ne kemi përgatitur. Jam shumë i kënaqur me atë që kam vënë re. Dëshirën dhe impenjimin e tyre për të qenë aktivë në çdo minutë të stërvitjes, mbledhjet me video dhe çdo analizë që ne kemi bërë. Nuk është e lehtë apo e arritshme të gjendet kimia në grup. Por besoj se ia kemi dalë. Këtë dëshirë për të parë një skuadër që rritet e vë re te lojtarët. Jam shumë i kënaqur për këtë”, shtoi trajneri tutje.

Ai tutje zbuloi se cili portier do të luajë nga fillimi në këtë përballje.

“Në fakt, të gjithë lojtarët mund të gabojnë. Te portierët është pak më decisive, sepse ka ndikim edhe te rezultati i ndeshjes në vijim, por në fakt kam shumë besim te të gjithë lojtarët dhe portierët që unë kam. Më vjen keq që nuk mund të kem të gatshëm portierin Etrit Berisha, i cili është i pezulluar për shkak të kartonit të kuq, sikurse Alen Sherri që doli nga ndeshja ndaj Finlandës me problem muskular dhe nuk do të jetë i gatshëm. Mund të konfirmoj që do të luaj Mario Dajsinani. Do të kisha dashur t’i kisha të dy portierët, por besoj se do të jetë një shans shumë i mirë për Dajsinanin. Kam shumë besim tek ai”, tha ai.

Ai u shpreh tutje se ende ekzistojnë mundësitë për të marrë vendin e parë në grup.

“Mundësitë për vendin e parë janë të njëjta. Mendoj se episodet ndikuan, sepse ishte një ndeshje që po shkonte në mënyrën e duhur, por episodet ndikojnë. Ato nuk i kanë ndryshuar shanset tona. Unë jam i sinqertë: sapo skuadra hyri në dhomat e zhveshjes, u bëra komplimente lojtarëve. U thashë të qëndrojnë me kokën lart, sepse nëse hyjmë në fushë me të njëjtën sjellje dhe me të njëjtën dëshirë për të bërë futboll, siç bëmë në Helsinki, nuk duhet të preokupohemi me rezultatin, por vetëm të jemi këta që jemi, me këtë sjellje dhe këtë vëmendje”, u shpreh ai.

Sulmuesi Rey Manaj u shpreh se skuadra do të luajë nesër vetëm për fitore dhe për të marrë tre pikët.

“Ndeshja me San Marinon varet nga mënyra se si e marrim. Është një ekip shumë më i dobët se ne, por gjërat duhen demonstruar në fushë. Pas ndeshjes që luajtëm në Finlandë, në letër është ndeshja më e lehtë nga të tjerat. Ne do të futemi në fushë që në pjesën e parë për ta mbyllur direkt ndeshjen, të fitojmë dhe të marrim tri pikët”, tha ai fillimisht.

“Besoj se sa më shumë gola të bëjmë, aq më të lumtur do të jemi. Është një ekip me të cilin duhet të luajmë fort, duke menduar që nga fillimi se duhet ta zhbllokojmë ndeshjen. E kemi parë edhe vjet kundër Andorrës, e cila është më e dobët se ne, por i bëmë gol vetëm në minutën e 80-të. Ne duam që në 20 minutat e para të sulmojmë fort për ta hapur ndeshjen dhe pastaj, ishalla, të bëjmë më shumë gola se ç’kanë bërë ekipet e tjera”, vazhdoi ai tutje.

Ndeshja Shqipëri – San Marino luhet nesër, me fillim nga ora 20:45 në Tiranë.

Shqipëria ka gjashtë pikë, pas tri ndeshjeve, teksa San Marino ka zero sosh.