Përplasje mes talentit të Barcelonës dhe trajnerit të Egjiptit
Hamza Abdelkarim është bërë protagonist i një episodi të tensionuar me trajnerin e Egjiptit, Hossam Hassan, pas humbjes 0-1 ndaj Afrikës së Jugut.
Sulmuesi 18-vjeçar i Barcelonës e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua vetëm në pjesën e dytë.
Pas përfundimit të takimit, kamerat kapën një debat të tensionuar mes tij dhe trajnerit Hassan, ndërsa të dy u larguan drejt dhomave të zhveshjes pa u përshëndetur me dorë.
Megjithatë, nuk ka konfirmim se mes tyre ka një konflikt të mirëfilltë.
Abdelkarim kishte shënuar pak ditë më parë golin e parë me kombëtaren e Egjiptit, në fitoren 5-0 ndaj Sudanit të Jugut, ndaj vendimi për ta lënë sërish në stol është kritikuar nga tifozët dhe mediat egjiptiane.
Edhe ish-mbrojtësi i Zamalekut dhe i kombëtares, Bashir El Tabei, kritikoi trajnerin Hassan: “Meqë ishte një ndeshje miqësore, do të ishte më mirë që Hamza Abdelkarim të niste titullar dhe të merrte një mundësi më të madhe, pasi është një lojtar me potencial.”
Në Barcelonë, ndërkohë, besimi tek talenti egjiptian është i madh. Klubi katalanas ia ka zgjatur kontratën deri në vitin 2030 dhe ka vendosur ta mbajë në skuadër, në vend që ta huazojë. Abdelkarim tashmë ka bërë edhe debutimin me ekipin e parë të Barcelonës. /Zëri