Fortesa Orana në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare, një fitore larg medaljes

Fortesa Orana në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare, një fitore larg medaljes

Sport September 02, 2026 - 12:12

Karateistja kosovare Fortesa Orana është kualifikuar në gjysmëfinale të kategorisë mbi 68 kilogramë në lojërat mesdhetare “Taranto 2026”, duke mbetur vetëm një fitore larg sigurimit të medaljes.

Orana e nisi me sukses ditën e dytë të garave në karate, duke triumfuar ndaj algjerianes Chaina Oudira dhe sllovenes Zala Maria Zibret.

Me këto dy fitore, ajo siguroi një vend në gjysmëfinale, ku do të kërkojë fitoren që do t’i garantonte medalje për Kosovën.

Në anën tjetër, Benjamin Shabani dhe Jakup Ajdari nuk arritën të vazhdojnë garën për medalje.

Shabani u mposht në raundin e parë dhe më pas pësoi lëndim, duke mos qenë në gjendje të paraqitej në repesazh. Ndërsa Ajdari u ndal në luftën e parë dhe më pas nuk arriti të avancojë as përmes repeshazhit.