“Jam divorcuar nga gruaja më e bukur në planet”, Guardiola rrëfen ndarjen e fshehtë para lojtarëve të Cityt

“Jam divorcuar nga gruaja më e bukur në planet”, Guardiola rrëfen ndarjen e fshehtë para lojtarëve të Cityt

Sport August 18, 2026 - 14:12

Trajneri i njohur spanjoll, Pep Guardiola, përdori historinë e divorcit nga bashkëshortja e tij, Cristina Serra, për të motivuar lojtarët e Manchester Cityt në një periudhë të vështirë për ekipin.

Ky moment është publikuar në dokumentarin e Prime Video “A Beautiful Obsession”, i cili ndjek dy vjetët e fundit të Guardiolës në krye të Manchester Cityt.

Në dokumentar shfaqet një bisedë emocionale mes trajnerit dhe lojtarëve të tij, të cilëve ai u tregoi për divorcin para se lajmi të bëhej publik në media.

Image
Pep Guardiola dhe ish-gruaja

“Dua t’ju rrëfej diçka. Po divorcohem nga gruaja më e bukur në planet. Gruaja ime, ish-gruaja ime. E dua jashtëzakonisht shumë, por e kemi humbur pasionin”, u tha Guardiola lojtarëve në dhomat e zhveshjes së stadiumit Allianz, gjatë ndeshjes kundër Juventusit në Ligën e Kampionëve.

Guardiola më pas e lidhi situatën e tij personale me gjendjen e ekipit, i cili në atë periudhë po kalonte një seri rezultatesh negative.

Ai u kërkoi lojtarëve të rikthenin pasionin dhe përkushtimin në fushë.

Image
Pep Guardiola dhe ish-gruaja

“Si luan futboll? Vetëm sepse luan, apo sepse ke diçka brenda vetes? Ku është pasioni? Në jetë, çfarëdo që të bësh, bëje me pasion. Nuk dua lojtarë të mirë. Dua lojtarë me pasion”, u shpreh trajneri spanjoll.

Ndihmësi i tij, Manel Estiarte, tregoi se lojtarët ishin shumë të shqetësuar për gjendjen e Guardiolës pas divorcit.

Image
Pep Guardiola me familjen

Sipas tij, trajneri ishte i shqetësuar, i trishtuar dhe dukej ndryshe nga zakonisht.

Dokumentari “A Beautiful Obsession” do të publikohet më 19 gusht në Prime Video në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, teksa më pas pritet të jetë i disponueshëm edhe në pjesën tjetër të Evropës. /Telegrafi

Image
Pep Guardiola me lojtarët e Manchester Cityt