Llapi zyrtarizon transferimin e qendërmbrojtësit Aris Sorensen
Llapi ka prezantuar zyrtarisht përforcimin më të ri në repartin defensiv, duke nënshkruar me qendërmbrojtësin 25-vjeçar Aris Sorensen.
Mbrojtësi me pasaportë zvicerane vjen nga Bellinzona, ndërsa më herët ka luajtur edhe për Chiasson dhe Yverdonin në Zvicër, si dhe ka qenë pjesë e akademisë së Sampdorias në Itali. Ai ka firmosur kontratë me klubin llapjan deri në verën e vitit 2029.
Klubi bëri të ditur se lojtari tashmë i është bashkuar ekipit pas përfundimit të ekzaminimeve mjekësore.
“Pas përfundimit me sukses të ekzaminimeve mjekësore, Sorensen i është bashkuar skuadrës në stërvitje dhe tashmë është pjesë e ekipit për sezonet në vazhdim”, thuhet në njoftimin e Llapit.Sipas klubit, ardhja e Sorensenit synon të rrisë konkurrencën në mbrojtje para nisjes së edicionit të ri të Superligës.
“Sorensen përforcon fazën defensive të skuadrës dhe pritet të shtojë konkurrencën në këtë repart, duke i ofruar shtabit teknik zgjidhje për edicionin e ri të Superligës që fillon më 15 gusht”, ka njoftuar Llapi.