Drita assesi të fitojë në Evropë, barazon me kampionen e Maltës
Kampionia e Kosovës, Drita nuk po arrin të fitojë në Evropë këtë edicion, me skuadrën bardhekaltër që barazoi me kampionen e Maltës, Florianan.
Kjo ndeshje u luajt në kuadër të fazës së dytë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Ndeshja e parë e kësaj përballjeje u luajt sonte në Maltë, me takimin që përfundoi 1-1, pas më shumë se 100-të minuta lojë.
Dy golat u shënuan në minutat shtesë, pasi disa herë gjatë ndeshjes pati probleme me rrymën.
Në minutën e 51-të dhe të 77-të, rryma u ndal dy herë, dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta, andaj gjyqtari kryesor vendosi që në fund të kohës së rregullt të shtojë edhe 10 minuta të tjerë.
Mirëpo, gjatë kohës shtesë, edhe një herë u ndal rryma dhe u shënuan dy gola, andaj koha e shtuar shkoi pothuajse 20 minuta.
Drita ishte e para që doli në epërsi, me anë të Liridon Balajt, në minutën e 90+7’.
Balaj mori një pasim të bukur nga Blerim Krasniqi dhe doli i vetëm përballë portierit, duke mos e lëshuar rastin e mirë. Ai në fakt edhe u lëndua gjatë procesit të golit, andaj u zëvendësua dy minuta më vonë, edhe pse kishte hyrë në lojë vetëm në minutën e73-të.
Goli i barazimit për vendasit erdhi në minutën e 90+12’, të cilin e shënoi Amar Drina, pas një tollovie në zonën e Dritës.
Ndeshja e kthimit e kësaj përballjeje do të luhet javën e ardhshme, më 28 korrik, e martë, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Fituesi i këtij çifti do të luajë ndaj Tre Fiorit në fazën e tretë kualifikuese të Ligës së Konferencës.
Drita ra në Ligën e Konferencës, pasi në fazën e parë të Ligës së Kampionëve u mposht nga Kauno Zalgiris.
Sezonin e kaluar, Drita ishte pjesë e fazës së ligës së Ligës së Konferencës, ku shkoi deri në fazën e “play-offit”, për t’u ndalur nga Celje, me rezultat 6-4 pas dy ndeshjeve.