Spanja kampione e botës, shpërblim rekord për Federatën dhe lojtarët

Spanja kampione e botës, shpërblim rekord për Federatën dhe lojtarët

Sport July 20, 2026 - 12:58

Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës 2026 nuk ka sjellë vetëm lavdi sportive, por edhe një përfitim të madh financiar për Federatën Spanjolle të Futbollit.

Suksesi i arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada pritet t’i sjellë federatës iberike rreth 50 milionë dollarë (afërsisht 44 milionë euro) shpërblim, një shumë që e konsolidon edhe më shumë pozitën e futbollit spanjoll në arenën ndërkombëtare.

Përveç aspektit ekonomik, titulli botëror ka një ndikim të madh në imazhin dhe prestigjin e futbollit spanjoll. Triumfi i “La Roja”-s pritet të rrisë vlerën e markës së kombëtares dhe të sjellë përfitime shtesë përmes marrëveshjeve me sponsorët.

Shumë prej kontratave të Federatës Spanjolle me kompanitë partnere përmbajnë klauzola të veçanta që aktivizohen pas sukseseve të mëdha sportive, duke e bërë këtë triumf edhe më të rëndësishëm në aspektin financiar.

Një pjesë e konsiderueshme e shpërblimit do t’u takojë edhe futbollistëve të drejtuar nga Luis de la Fuente. Sipas marrëveshjeve, rreth 45 për qind e bonusit të federatës do të ndahet mes lojtarëve të grumbulluar për Botërorin.

Nga përllogaritjet, rreth 19.67 milionë dollarë pritet t’u shpërndahen futbollistëve të Spanjës, ndërsa secili prej 26 lojtarëve të skuadrës mund të përfitojë afërsisht 756 mijë euro bruto për triumfin historik.

Ky sukses ka larguar edhe shqetësimet e mëparshme financiare të federatës, pas anulimit të një finaleje të planifikuar me Argjentinën në një tjetër kompeticion, ndërsa tani Spanja shijon jo vetëm titullin e dytë botëror në histori, por edhe një rikthim të fuqishëm ekonomik dhe institucional.