Shkak orari i Kupës së Botës, Real Madridit mund t’i shtyhet ndeshja hapëse në La Liga
Real Madridi pritet të jetë klubi i parë që do të preket nga ndryshimet e La Ligas në kalendarin e sezonit të ri, si pasojë e Kupës së Botës 2026.
Sipas “AS”, ndeshja hapëse e kampionatit ndaj Real Sociedadit pritet të shtyhet, pasi tashmë është e garantuar se klubi madrilen do të ketë të paktën një futbollist në gjysmëfinalet e Botërorit.
Kjo vjen pasi Franca dhe Maroku do të përballen në çerekfinale, çka siguron praninë e një lojtari të Real Madridit në mesin e katër kombëtareve më të mira të turneut.
Brahim Diaz do të përfaqësojë Marokun, ndërsa Kylian Mbappe, Aurelien Tchouameni dhe përforcimi i ri, Ibrahima Konate, janë pjesë e përfaqësueses së Francës.
Sezoni i ri i La Ligas është planifikuar të nisë në fundjavën e 14-16 gushtit, por klubet që kanë lojtarë të angazhuar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës do të kenë të drejtën të shtyjnë ndeshjen e parë të kampionatit.
Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, ka konfirmuar se futbollistët e prekur do të përfitojnë periudhën e detyrueshme prej gjashtë javësh për rikuperim, sipas marrëveshjes me Shoqatën e Futbollistëve Spanjollë (AFE), e cila përfshin tre javë pushim dhe tre javë përgatitje parasezonale.
Për këtë arsye, La Liga planifikon ta ndajë javën e parë të kampionatit, me disa ndeshje që do të zhvillohen sipas kalendarit fillestar, ndërsa të tjerat do të luhen në mesin e javës, më vonë gjatë muajit gusht.
Sipas raportimeve, takimet e shtyra pritet të zhvillohen mes javës së dytë dhe të tretë të sezonit të ri.
Real Madridi është klubi që pritet të preket i pari nga kjo masë, megjithëse edhe ndeshje të tjera mund të ndryshojnë datë në varësi të numrit të lojtarëve që do të mbeten në garë në Kupën e Botës.
Në mesin e përballjeve që mund të shtyhen janë edhe Barcelona – Athletic Club, Atletico Madrid – Malaga dhe Celta Vigo – Osasuna.
Shoqata e Futbollistëve Spanjollë kishte propozuar që fillimi i gjithë kampionatit të shtyhej për një javë, në mënyrë që të gjitha skuadrat ta nisnin sezonin njëkohësisht, por La Liga ka vendosur të ndajë vetëm javën e parë të garës.
Njoftimi zyrtar për kalendarin e rishikuar pritet të publikohet sapo të konfirmohen zyrtarisht katër gjysmëfinalistet e Kupës së Botës 2026.