Temperatura deri në 46 gradë, FIFA po konsideron ta shtyjë përballjen mes Francës dhe Paraguait

Temperatura deri në 46 gradë, FIFA po konsideron ta shtyjë përballjen mes Francës dhe Paraguait

Sport July 04, 2026 - 12:20

Ndeshja e Kampionatit Botëror mes Francës dhe Paraguait mund të përballet me ndryshime të minutës së fundit, pasi po shtohen thirrjet që FIFA ta shtyjë përballjen për shkak të temperaturave ekstreme që kanë përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Temperaturat në Filadelfia pritet të kalojnë 38 gradë Celsius gjatë ndeshjes së fazës së 1/16 së finales që do të zhvillohet të shtunën, ndërsa lagështia e lartë do ta bëjë situatën edhe më të vështirë.

Sipas raportimeve, temperatura e ndjerë brenda stadiumit të hapur mund të arrijë deri në 46 gradë Celsius, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë e lojtarëve, tifozëve dhe stafit të pranishëm.

Drejtori i Heat Lab në Universitetin e Kalifornisë, Bharat Venkat, paralajmëroi për rreziqet që sjell aktiviteti fizik në temperatura të tilla.

"Kur ushtrohesh fizikisht në një ditë veçanërisht të nxehtë, gjasat për t'u përballur me probleme shëndetësore të lidhura me nxehtësinë apo edhe me pasoja fatale janë shumë më të larta".

Stadiumi në Filadelfia nuk ofron sisteme të kontrollit klimatik që do t'i mbronin tifozët nga temperaturat e larta, ndërsa FIFA pritet të aplikojë masa si pushimet për hidratim, zonat e ftohjes dhe protokolle të tjera kundër vapës.

Megjithatë, sindikata e futbollistëve FIFPRO dhe ekspertë të ndryshëm kanë argumentuar se këto masa mund të mos jenë të mjaftueshme dhe se ndeshjet duhet të shtyhen nëse kushtet bëhen të pasigurta për zhvillimin e tyre.

Futbollistët francezë kishin përdorur më herët edhe spërkatëset e fushës për t'u freskuar gjatë ndeshjes ndaj Suedisë në New Jersey, ku temperaturat kishin arritur në 32 gradë Celsius.

Shkencëtarët kanë kritikuar gjithashtu udhëzimet e FIFA-s për mbrojtjen nga temperaturat e larta, duke i cilësuar ato si të pamjaftueshme për realitetin e një vere të nxehtë në Amerikën e Veriut.

Problemet meteorologjike nuk kufizohen vetëm te sfida Francë–Paraguai.

Edhe ndeshja mes Anglisë dhe Meksikës është përfshirë nga debatet për kushtet atmosferike përpara takimit të së dielës në stadiumin Azteca.

Mediat meksikane raportuan se përballja mund të zhvendosej gjashtë orë më herët për shkak të frikës nga moti i keq dhe stuhitë e mundshme në Mexico City, por FIFA vendosi ta ruajë orarin fillestar të ndeshjes.

Ndeshja e mëparshme e Meksikës ndaj Ekuadorit ishte shtyrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut, ndërsa organizatorët vazhdojnë të monitorojnë situatën.