61 prona, mbi 7 milionë € pasuri dhe mbi 10 mijë € obligime komunës: Kush është në të vërtetë Agim Ademi jashtë fushës së futbollit?
Një perandori pronash me miliona euro dhe dhjetëra njësi banimi shtrihet përtej profilit publik të Agim Ademit si kreu i futbollit kosovar. Dokumentet nxjerrin në pah kontrastin mes pasurisë së madhe dhe obligimeve të papaguara ndaj institucioneve publike. Në të njëjtën kohë, përmes familjes së tij zhvillohen beteja gjyqësore që synojnë miliona euro nga buxheti i komunës. Ky realitet shton dyshimet për burimin e pasurisë dhe mënyrën e menaxhimit të interesave private ndër vite. Një rrjet i ndërlikuar që lidh biznesin, drejtësinë dhe institucionet. Insajderi sjell detajet
Visar Duriqi
Agim Ademi asnjëherë nuk ka qenë thjesht një emër i zakonshëm në hapësirën publike të Kosovës. Përtej rolit të tij si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) dhe deklaratave publike për sukseset e futbollit, jashtë vijave të gjelbra shtrihet një realitet tjetër: ai i një perandorie pasurive të paluajtshme, i shoqëruar nga një kronikë e gjatë e rasteve, arrestimeve, hetimeve dhe përballjeve me drejtësinë.
Dokumentet zyrtare që ekskluzivisht i ka siguruar Gazeta Insajderi për një hetim disa javore, zbulojnë se njeriu që udhëheq institucionin më të pasur sportiv në vend, është njëkohësisht një nga pronarët më të mëdhenj të patundshmërive në rajonin e Prishtinës.
Por, përderisa pasuria e tij llogaritet në miliona, obligimet e tij financiare ndaj komunës mbesin të hapura në shifra të larta.
Sipas të dhënave zyrtare, Agim Qazim Ademi posedon ose ka nën menaxhim plot 61 njësi pronësore të regjistruara në Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Vlera totale e tyre e vlerësuar nga shteti kap shifrën prej mbi 7.4 milionë eurosh.
Në Prishtinë, Ademi kontrollon 46 banesa(objekte rezidenciale), 11 lokale komerciale, një shtëpi familjare 360 metrash katror, si dhe dy parcela të mëdha toke. Kësaj liste i shtohet edhe një banesë tjetër prej 85 metrash katror në Fushë Kosovë.
Vetëm për vitin aktual, Komuna e Prishtinës i ka faturuar Ademit një obligim tatimor prej saktësisht 10,698 eurosh, shifër kjo që sipas ligjit duhet të paguhet brenda afateve të përcaktuara për të shmangur gjobat dhe interesin për vonesë. Po ashtu, në Fushë Kosovë ai figuron me një borxh të vjetër të papaguar prej 8 eurosh.
Kjo sasi e madhe e paluajtshmërive ngre pikëpyetje të mëdha mbi burimin e financimit, veçanërisht kur ndërlidhet me historikun e tij të gjatë në biznesin e ndërtimit dhe akuzat që e kanë përcjellë ndër vite.
Borxhli ndaj Komunës, por kërkon miliona përmes djalit
Përderisa Agim Ademi ka faturën e hapur prej mbi 10 mijë eurosh për tatim në pronë ndaj kryeqytetit, këtu shpërfaqet paradoksi dhe ironia më e madhe e kësaj dosjeje.
Agim Ademi, qoftë vetë apo përmes familjarëve të tij, është përfshirë në beteja ligjore ku kërkon shuma milionëshe pikërisht nga po kjo komunë – ajo e Prishtinës.
Rasti më eklatant është ai i djalit të tij, Trim Ademit (i njohur si Capital T).
Përmes një aktgjykimi të vitit 2025 nga Gjykata Themelore e Prishtinës për parcelën 1839-1, Gjykata e shkallës së parë ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që t’i paguajë Trim Ademit shumën prej 460,200.00 eurosh, plus interesin ligjor ë llogaritur nga nëntori i vitit 2023.
Kjo vlerë vjen si dëmshpërblim për shpronësimin e një prone për ndërtimin e një rruge publike paralele me autostradën Prishtinë-Shkup.
E dhëna që e mbyll këtë rreth dyshimesh është se këtë tokë milionëshe, Trim Ademi e kishte pranuar si dhuratë përmes një kontrate mbi faljen nga babai i tij, Agim Ademi, në dhjetor të vitit 2018.
Përveç kësaj, Agim Ademi ka qenë i përfshirë si përfaqësues i autorizuar edhe në një tjetër padi për parcelën 7650-0 për projektin e rrugës në “Kalabri”, ku Gjykata në vitin 2024 e obligoi komunën që drejtohet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës të paguante më shumë se 2.5 milionë euro ndaj palës që kishte blerë tokën e menaxhuar dikur nga Ademi.
Dosja e “nxehtë” e ATK-së
Në nëntor të vitit 2023, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka dorëzuar një kallëzim penal kundër Agim Ademit për shmangie nga tatimi në vlerë prej afro 200,000 eurosh (€189,330.65).
Ky hetim zbuloi se Ademi kishte lidhur një kontratë të përbashkët ndërtimi në vitin 2013 me kompaninë “Konak Investment” LLC për parcelat 1838-2 dhe 1839-0 në Veternik, ku si këmbim për tokën do të përfitonte 30% të sipërfaqes bruto të objektit (banesa, lokale e garazhe). ATK-ja konstatoi se ai nuk i kishte deklaruar fitimet kapitale për periudhën 2018-2019.
Rasti u mbyll nga Prokuroria. Por, në një përgjigje për Insajderin, ATK-ja ka thënë që kanë ushtruar tash padi. Ende nuk dihet epilogu i këtij rasti.
Çka zbuluan hulumtimet e InDoks dhe Gazeta Insajderi
Pasuria e paluajtshme dhe dyshimet për falsifikime nuk janë të vetmet hije që rrinë mbi kreun e futbollit kosovar. Ndër vite, mediumet hulumtuese si emisioni InDoksdhe Gazeta Insajderi kanë zhvilluar një seri investigimesh të thelluara që kanë zbërthyer skandalet financiare dhe institucionale brenda FFK-së nën udhëheqjen e tij.
Raportimet e InDoks e Insajderit patën zbuluar se ka pasur dyshime të bazuara se paratë e Federatës së Futbollit të Kosovës janë përdorur për të financuar udhëtime luksoze në Katar për djalin e tij, Trim Ademin (Capital T), dhe bashkëshorten e tij. Po ashtu, janë ngritur dyshime për blerjen e jashtëligjshme të një veture me para të federatës, e cila ishte regjistruar në emër të një punëtori të FFK-së.
Hetimet zbuluan një skemë të hapjes dhe shuarjes së bizneseve nga Ademi, siç ishin “2A Kosova AG BI” (e shuar në 2018) dhe “2A KosovaAG SH.PK” (e shuar në 2022). ATK dyshonte se përmes këtyre entiteteve kanë vazhduar të qarkullojnë para edhe pasi ato ishin mbyllur zyrtarisht, me qëllim shmangien e obligimeve tatimore.
Shkrimet dokumentuan se si shtëpia e futbollit u kthye në një institucion të mbyllur, ku eliminoheshin zërat kritikë dhe favorizoheshin grupet e afërta me kryesinë.
Kronologjia e përballjeve me drejtësinë
Karriera e Agim Ademit është e shenjuar nga një sagë e gjatë gjyqësore, ku ai ka një historik të dokumentuar dënimesh:
Në vitin 2020, Ademi u dënua me 9 muaj burgim efektiv për një rast të vitit 2012, ku akuzohej se së bashku me një bashkëpunëtor kishte detyruar dhe kërcënuar një partner biznesi që të jepte 30,000 euro ose një veturë BMË X5 në shkëmbim të dokumenteve të falsifikuara të pronës.
Vakitë e drejtësisë kosovare: Rasti më vonë u parashkrua (vjetrua) në rigjykim në vitin 2023.
Ademi u arrestua dhe u dërgua në arrest shtëpiak nën dyshimet për “Keqpërdorim të besimit” dhe “Shmangie nga tatimi” direkt me buxhetin e FFK-së.
Një hulumtim i ri i Gazetës Insajderi ka zbuluar se prokurorja që mbylli këtë rast, Fitore Sadikaj, së fundmi është shpërblyer përmes Këshillit Prokurorial të Kosovës me një post të mirë në FFK-në e drejtuar nga Agim Ademi, në një komision të brendshëm të kësaj federate.
Pra, ajo do të kryej punë në organizatën sportive, shefit të së cilës ia mbylli rastin penale.
Ai është hetuar po ashtu edhe për sulme fizike e presione brenda zyrave të federatës ndaj zyrtarëve si Artan Govori dhe gazetarëve sportivë. Publikisht nuk dihet rast a është i hapur a i mbyllur.
Agim Ademi përfaqëson një profil unik në Kosovë: një njeri që posedon 61 prona të paluajtshme me vlerë mbi 7.4 milionë euro, që ka një faturë të hapur prej mbi 10 mijë eurosh ndaj komunës, por që në të njëjtën kohë përmes padive pret që të nxjerr miliona euro nga po ajo komunë përmes djalit të tij ose përmes rasteve ku vet është i përfshirë.
Gazeta Insajderi e ka pyetur Agim Ademin për pasurimin, borxhet ndaj komunës, paditë, dyshimet e ATK-së, dhe të tjera gjetje të këtij hulumtimi, por i njëjti deri tash nuk ëhstë përgjigjur në pyetjet e dërguara në fillim të qershorit të këtij viti.