Policia gjermane bastis Federatën e Futbollit për dyshime korrupsioni në Euro 2024
Policia gjermane ka kryer të mërkurën një seri bastisjesh të gjera në lidhje me dyshime për korrupsion gjatë Kampionatit Evropian të vitit 2024.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, përfshirë BILD, në mesin e ambienteve të kontrolluara ka qenë edhe selia e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB).
Prokuroria Publike e Bochumit dhe Zyra Shtetërore për Hetime Kriminale kanë konfirmuar se hetimet lidhen me dyshime për “përfitime të paautorizuara”, përfshirë edhe marrjen e biletave për ndeshje futbolli nga një individ i akuzuar, i cili në atë kohë punonte për një qytet organizator të turneut.
Në deklaratën e përbashkët thuhet se zyrtarët e entitetit organizator u kishin ofruar qyteteve pritëse të drejtën ekskluzive të përparësisë për blerjen e biletave, të cilat më pas janë përdorur në mënyra të ndryshme nga këto qytete.
Sipas BILD, bastisjet e mëngjesit përfshinë mbi 150 oficerë policie dhe lidhen me hetime për dy persona: një shtetas gjerman 66-vjeçar dhe një shtetas francez 46-vjeçar.
Dyshimet përfshijnë shpërndarje të paligjshme të mijëra biletave brenda sistemit, të cilat dyshohet se janë dhënë për të ftuar të preferuar gjatë Euro 2024.
Hetimet janë zgjeruar edhe në bashkitë dhe administratat komunale të qyteteve pritëse, të cilat po kontrollohen si pjesë e procedurës hetimore.
Autoritetet gjermane nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi fazën e hetimit apo mbi persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rast. /telegrafi