
Vdes Oliver Miller, basketbollisti më me mbipeshë në historinë e NBA
Oliver Miller, basketbollisti më i trashë në historinë e NBA-së, ka ndërruar jetë mbrëmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në moshën 55-vjeçare.
Miller, i cili luajti për Phoenix, Detroit, Toronto, Dallas, Sacramento dhe Minesota gjatë nëntë sezoneve në NBA, vdiq nga kanceri.
I gjatë 206 centimetra, ai luante në pozicionin e qendrës dhe në këtë e ndihmoi pesha e tij e pabesueshme.
Gjegjësisht, ai zyrtarisht peshonte deri në 170 kilogramë, ndonëse rivalët e tij në parket pretendonin se ai ishte edhe më i rëndë.
Për krahasim, Shaquille O’Neal është lojtari i dytë më i rëndë në historinë e NBA me 163 kilogramë.
Edhe pse ai kishte një strukturë atipike për një sportist, ai luajti 493 ndeshje në NBA me mesatare prej 7.4 pikësh, 5.9 kërcimesh, 2.2 asistime dhe 1.5 bllokada për lojë.
