Federata turke me dënime të rënda për Trabzonsporin, pas kaosit dhe sulmit ndaj lojtarëve të Fenerbahçes

Federata turke me dënime të rënda për Trabzonsporin, pas kaosit dhe sulmit ndaj lojtarëve të Fenerbahçes

Sport April 03, 2024 - 14:42
Lajmet e fundit nga Sporti

Federata e Futbollit e Turqisë më në fund vendosi për kaosin pas ndeshjes mes Trabzonsporit dhe Fenerbahçes, pasi tifozët vendas vrapuan në fushë dhe sulmuan mysafirët nga Stambolli.

Në mesin e muajit mars, skena të vërteta ‘horror’ u regjistruan në ndeshjen mes Trabzonit dhe Fenerbahçes. Mysafirët po festonin një triumf të rëndësishëm dhe teksa ishin ende në fushë, tifozët vendas e çanë gardhin dhe filluan t’i sulmojnë lojtarët.

Tifozët e Trabzonsporit u vërsulën në fushë për të ndërprerë festën e lojtarëve të Fenerbahçes, por fatmirësisht askush nuk u lëndua, edhe pse tifozët vendas mbanin armë të ftohta.

Më së keqi u godit portieri kroat Dominik Livakoviq, i cili u godit me grusht në kokë, ndërsa shoku i tij i skuadrës Michy Batshuayi u pa teksa shpërndau disa shqelma.

Tani më në fund janë marrë vendimet për këtë incident. Trabzonspori është dënuar rëndë nga Federata e Futbollit të Turqisë.

Trabzonspori është gjobitur me gjashtë ndeshje pa tifozë, që do të jetë një goditje e rëndë për ta, por duhet të paguajë edhe një gjobë prej tre milionë e 112 mijë lirash ose rreth 90 mijë euro.

Lojtarët Jayden Oosterëolde dhe Irfan Can Egribayat u pezulluan për nga një ndeshje, si dhe ndihmës trajneri i Trabzonit, Egemen Korkmaz, gjithashtu me një ndeshje.

Ajo që është interesante është se lojtari i Fenerbahçes, Bright Osayi-Samuel nuk u ndëshkua, edhe pse u përlesh me tifozët e Trabzonsporit. Aleanca funksionoi në favor të tij, duke gjykuar se ai bëri gjithçka në vetëmbrojtje. /Telegrafi