Infektuar: 98835
Shëruar: 83591
Vdekur: 2008
Kabashi: Shkëmbi nuk largohet nga Ballkani, ata që po e duan rikthimin e Munishit le ta ftojnë për kafe

Kabashi: Shkëmbi nuk largohet nga Ballkani, ata që po e duan rikthimin e Munishit le ta ftojnë për kafe

Sport March 02, 2021 - 15:07
Detajet
Image

Me të përfunduar stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës skuadra e Ballkanit bëri ndryshime në shtabin teknik, duke e larguar trajnerin Ismet Munishi, për t’ia besuar pozitën e “timonierit” Bledi Shkëmbit, shkruan “Zeri.info”.

Ardhja e trajnerit nga Korça në Suharekë u prit me entuziazëm, mirëpo në ndeshjet e para nuk është se po tregon rezultate aq të kënaqshme.

Ballkani si fillim u eliminua nga Kupa e Kosovës, duke u mundur nga Llapi, derisa në tri ndeshjet e para në kampionat ka arritur dy fitore, ndaj Besës dhe Feronikelit, barazoi ndaj Gjilani 1:1, kurse në takimin e fundit u mposht nga Llapi në Podujevë, me rezultat 1:0.

Tifozët në rrjetet sociale kanë “shpërthyer” së fundmi, teksa disa nga ta kanë kërkuar largimin e Shkëmbit.

“Zeri.info” së fundmi e ka realizuar një intervistë me presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashi.

Ai tha se është i kënaqur me rezultatet e arritura deri tash.

“Jemi shumë të kënaqur. Eliminimi nga Kupa nuk është aspak i mirë, por nuk kemi se çfarë të bëjmë”, ka thënë Arsim Kabashi të martën.

I pyetur për punën e Bledi Shkëmbit dhe kërkesën e disa tifozëve për largimin e tij, “Cima” deklaroi: “Tifozët e kanë të drejtën e tyre. Shkëmbi është trajner i Ballkanit deri në fund të edicionit dhe të gjithë në klub e kanë të qartë një gjë të tillë”.

Image

Në rrjetet sociale ditët e fundit ka nisur një “fushatë” e tifozëve në Suharekë për rikthimin e Ismet Munishit.

Kabashi tha se tifozët mund ta ftojnë Munishin për kafe.

“Ismet Munishin pasi po e kërkojnë tifozët, le ta ftojnë për kafe, le të vijë në ndeshjen e radhës me Drenicën. Ne e kemi mik Ismetin”, përfundoi Arsim Kabashi.

Image

Ballkani pas xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll ndodhet në pozitën e dytë, me 45 pikë të tubuara, dy më pak se lideri Drita dhe një më shumë se Prishtina, që ndodhet e treta. /Zeri.info