Në Shqipëri e bëjnë punë të kryer: Musolli i bashkohet Gjilanit pas Evropës

Në Shqipëri e bëjnë punë të kryer: Musolli i bashkohet Gjilanit pas Evropës

Sport August 03, 2020 - 17:26

Në Shqipëri nuk kanë shumë dyshime sa i përket të ardhmes së Besar Musollit. Siç ka raportuar “Panorama Sport”, futbollisti nga Podujeva pritet që t’i bashkohet Gjilanit në afatin kalimtar të verës, mirëpo vetëm pas përfundimit të ndeshjeve në Evropë.

Në fakt Musolli është një dëshirë e kahmotshme e klubit gjilanas që këtë edicion do të dalë për herë të parë të luajë në arenën ndërkombëtare, pasi do të luajë në rundin parakualifikues të Ligës së Evropës.

Gazeta “Sheshi” merr vesh gjithashtu se drejtuesit e klubit tashmë kanë patur një varg takimesh me ish-futbollistin e Hysit dhe gjërat duken në binarë, teksa 30 vjeçari veçse është pajtuar për të kaluar te ‘kuqebardhët’.

Pas një sezoni të jashtëzakonshëm të cilin e kurorëzoi me daljen në Evropë, Gjilani po punon vrullshëm në afatin kalimtar.

Presidenti Florim Zuka dëshiron të krijojë një skuadër të fortë për parakualifikimet e Ligës së Evropës dhe pretendente për titull në edicionin e ardhshëm.

Zuka ka “hapur kuletën” dhe pas analizës me kryesinë dhe shtabin teknik, po mundohet të sjellë super-transferime në klub.

Gazeta mëson përmes burimeve pranë kampit gjilanas se klubi bardhekuq është në bisedime të avancuara me tre yjet e Superligës, Mentor Zhdrellën e Llapit dhe Ahmet Januzin e Armend Thaqin të Prishtinës.

Në fakt, për Thaqin Gjilani interesohet prej kohësh, ndërsa Zhdrella e Januzi po ashtu shihen si shumë të nevojshëm për repartin e mesfushës dhe të sulmit.

Image