Thaqi: Ndeshje e vështirë, por ne e duam finalen

Thaqi: Ndeshje e vështirë, por ne e duam finalen

Sport June 01, 2020 - 17:06

Me ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndërmjet FC Prishtinës dhe Drenicës, rifillon sërish futbolli.

Është kjo ndeshja e parë e gjysmëfinales dhe ku FC Prishtina konsiderohet favorit. Por, sa ka lënë pasoja pauza e gjatë, se sa ia kanë dal të përgatiten skuadrat në këtë periudhë, mbetët të shihet nesër në fushën e blertë të “Fadil Vokrrit” nga ora 18:00, përcjell "Zeri.info".

FC Prishtina dhe Drenica në këtë edicion janë takuar në dy ndeshje kampionale, 0:0 në Prishtinë dhe 3:1 fituan bardhekaltrit në “Bajram Aliu” të Skënderajt.

Mbrojtësi dhe kapiteni i klubit kryeqytetas, Armend Thaqi është i lumtur se po rikthehet në fushën e gjelbër, derisa është i vetëdijshëm për cilësitë e skuadrës së Drenicës.

“Po fillojmë sërish pas një pauze jo të dëshiruar nga të gjithë ne futbollistët, mirëpo u përballëm me pandemi globale duke shpresuar se tani më e kemi tejkaluar. I kthehemi ndeshjes së parë kundër një kundërshtari të vështirë siç është Drenica. Tradicionalisht vuajmë kundër Drenicës, sepse kanë ekip të mirë dhe lojë të rrjedhshme tani e disa vite rresht", u shpreh Thaqi për faqen zyrtare të klubit.

"Mirëpo, ne nuk kemi rrugë tjetër, të hyjmë në ndeshje për ta mposhtur lojën e tyre dhe të arrijmë rezultat sa më pozitiv për ndeshjen e kthimit. Të gjithë e din synimin tonë që të arrijmë finalen me çka besoj se do t’i afroheshim shumë garave ndërkombëtare, pra nëse vije puna edhe nëpërmjet Kupës”, përfundoi ai. /Zeri.info