Arbëria me 'Stuhinë e Kuqe' do t'i japin hijeshi elitës së futbollit kosovar

Arbëria me 'Stuhinë e Kuqe' do t'i japin hijeshi elitës së futbollit kosovar

Sport May 28, 2020 - 23:05

Nga edicioni 2020/21, skuadra simpatike nga Lipjani, Arbëria do t'i jap hijeshi elitës së futbollit të Kosovës. Për herë të parë në histori, skuadra me bazë në fshatin Dobrajë e Madhe, do të garojë në Superligën e Kosovës. Drejtori sportiv Labinot Gashi, trajneri Xhelil Gashi dhe futbollisti Dior Zabërgja janë të lumtur me suksesin e arritur nga "Stuhia e Kuqe"

Image

Superligës së Kosovës në futboll do t'i shtohet një skuadër nga Lipjani prej edicionit të ardhshëm. Bëhet fjalë për Arbërinë e Dobrajës së Madhe, e cila ishte senzacion në Ligën e Parë që prej fillimit të edicionit aktual.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës vendosi ta anulojë edicionin aktual, derisa dy skuadrat e para në tabelë - Besa e Pejës dhe Arbëria e Lipjanit do të garojnë në elitë prej muajit gusht të këtij viti, raporton "Zeri.info".

Arbëria e cila në 20 ndeshje këtë edicion, regjistroi dhjetë fitore, gjashtë barazime dhe pësoi katër humbje, do të garojë në elitën e futbollit kosovar për herë të parë prej themelimit të klubit.

Fillimisht, si klub, ishte themeluar në qershor të vitit 1977, duke garuar në Ligën e Tretë regjionale dhe aso kohe quhej KF Përparimi, derisa funksionoi deri në vitet e 90-ta, dhe pas një pauze shtatë-vjeçare, në vitin 2003, me emrin Arbëria do të inkuadrohej në Ligën e Parë të Kosovës, rang ku do të merrte pjesë deri në vitin 2010.

Për shkak të problemeve financiare, klubi lipjanas do të pushonte nga viti 2010, derisa aktivitetin sportiv do ta riniste në vitin 2016 në Ligën e Dytë, teksa në vitin 2018, arriti të inkuadrohej në Ligën e Parë, dhe pas dy vitesh do ta shijonte ndjenjën e skuadrës elitare kosovare.

Në krye me trajnerët Nuhi Bahtiri, Xhelil Gashi dhe Arsim Tërshani, si dhe me donatorin e fuqishëm Jahir Krasniqi, Arbëria e Lipjanit, me bazë në Dobrajë të Madhe, arriti suksesin historik, derisa nga edicioni 2020/21, në Superligën e Kosovës, do të garojë me klubet më me "nam" të futbollit kosovar si FC Prishtina, Drita, Gjilani dhe Feronikeli.

Image

Drejtori sportiv i Arbërisë, Labinot Gashi në një bisedë me "Zeri.info" u shpreh i lumtur me suksesin historik të skuadrës nga Dobraja e Madhe, derisa thotë se skuadra ku punon ai, e ka arritur me plotë meritë inkuadrimin në elitë.

"Planifikimet dhe organizimet tona janë bërë që të inkuadrohemi në Superligë. Të gjitha përgatitjet janë bëre që edicioni të mbyllet në fushën e lojës, por ne respektojmë vendimin e FFK-së pasi që mendoj që në shumicën e klubeve ka qenë e papërballueshme të vazhdohet kështu. Për ndeshjet e zhvilluara, kemi treguar që kemi potencial dhe me plotë meritë jemi ngritur në Superligë", nis bisedën Labinot Gashi me "Zeri.info".

Qelësi i suksesit dhe qëndrueshmëria financiare

Duke folur për suksesin historik të Arbërisë këtë edicion, Labinot Gashi theksoi se u krijua një skuadër stabile dhe se me transferimet e qëlluara, u arrit qëllimi kryesor.

"Jam me të vërtetë krenar, kemi punuar shumë, kemi pasur një harmonizim, një atmosferë të mrekullueshme brenda skuadrës, prandaj jemi ngritur. Në vitin e kaluar, kemi garuar në të njejtën ligë, por me kalimin e kohës, kemi krijuar një skuadër stabile dhe me disa transferime të qëlluara, kemi eliminuar disa dobësi që kemi pasur, dhe mendoj se puna dhe bashkëpunimi janë qelësi i suksesit", theksoi drejtori sportiv i Arbërisë.

Në aspektin e financave, Arbëria njihet si njëra prej klubeve me qëndrueshmërinë më të madhe, duke marrë parasysh investimet e donatorit Jahir Krasniqi, teksa Gashi thotë se ka pasur premio pothuajse për çdo ndeshje.

Image

"Gjatë gjithë vitit, gjendja financiare ka qenë stabile dhe mendoj se në Ligën e Parë, kemi qenë ndër klubet me financat më të mira falë presidentit të klubit tonë. Stimulime dhe premio thuajse ka pasur për çdo ndeshje", u shpreh Gashi.

Tutje, Gashi ka folur për të ardhmen e trajnerit Nuhi Bahtiri, për të cilin thotë se e ka vendin në skuadër, derisa në afatin kalimtar veror, pret investime më të mëdha.

"Patjetër se presim investime, edhe pse qëllimi ynë ka qenë dhe është që sa më pak ta ndryshojmë skuadrën. Sa i përket trajnerit Nuhi Bahtiri, ai është dhe mbetet pjesë e klubit, vetëm nëse ai ka ambicie tjera për të ardhmen", përfundoi Gashi të enjten për "Zeri.info".

Synimet në elitë

Dora e djathtë e trajnerit Nuhi Bahtiri te skuadra e Arbërisë ishte Xhelil Gashi, i cili bëri një punë të palodhshme me futbollistët që ta arrijnë objektivin primar - inkuadrimin në elitë.

Gashi është shprehur i kënaqur me ngritjen në elitë të "Stuhisë së Kuqe", teksa shpreson që në Superligë, skuadra të renditet sa më lartë.

Image

"Ishte një ndjenjë e mirë kur e kuptova këtë vendim. Kemi pasur një skuadër solide dhe mendoj se me meritë ishim në vendin e dytë. Ishte një punë profesionale nga trajnerët dhe një organizim i mirë i drejtorit të klubit. E ardhmja ime? Mendoj se do të vazhdoj të kontribuoj për klubin e vendit tim. Shpresoj të kemi sa më shumë sukses dhe ta arrijmë pozicionim sa më të lartë në tabelë", ka thënë Xhelil Gashi për "Zeri.info".

Kontributi për ngritjen në Superligë

Njëri prej futbollistëve më cilësor që inkuadrohet tek Arbëria e Dobrajës së Madhe është Dior Zabërgja, i cili vendosi ta lë Vushtrrinë në Superligë për t'i ndihmuar skuadrës lipjanase në Ligën e Parë.

Zabërgja e kreu me sukses këtë detyrë, derisa në një bisedë me "Zeri.info" thotë se është i lumtur që arriti ta ndihmojë Arbërinë ta shijojë këtë moment.

"Kur arrinë sukses, sigurisht se eshtë një ndjenjë shumë e mirë. Por, akoma më e mirë kur e arrin një sukses për herë të parë në histori të një klubi. Jam shumë i lumtur që sadopak kisha mundësi të kontribuoj në këtë sukses", u shpreh fillimisht Dior Zabërgja.

Image

Tutje, ish-futbollisti i Vushtrrisë tregon se kontrata e tij me klubin lipjanas ishte deri në fund të këtij edicioni, derisa vazhdimi i saj është varur nga ngritja në elitë, gjë e cila është arritur tashmë.

"Tek Arbëria jam transferuar në janar. Kam pasur kontratë deri në fund të edicioni dhe vazhdimi i saj varej nëse do t'ia arrinim qëllimit. Tani që kemi kohë më shumë, besoj se në ditët e ardhshme do të bisedojmë dhe do të shohim planet dhe synimet e klubit për edicionin e ri, pastaj do ta shohim", përfundoi të enjten për "Zeri.info" Dior Zabërgja. /Zeri.info