Koha kur Kuvajti bëri ‘lëmsh’ Kupën e Botës

Koha kur Kuvajti bëri ‘lëmsh’ Kupën e Botës

Sport June 23, 2019 - 17:14
Detajet

Kuvajti në futboll nuk është ndonjë emër me histori, por ka shkuar një herë në Kupën e Botës.

Ishte viti 1982 dhe ndonëse rezultatet ishin mediokre, Kuvajti do të mbahet mend përgjithmonë për kaosin total që shkaktoi në ndeshjen kundër Francës, duke përfunduar në faqet e para të gazetave për arsyen e gabuar.

Për vendin e vogël nga Gjiri Persik kualifikimi për në Kupën e Botës ishte një arritje kolosale, pasi vetëm në vitin 1961 kishte luajtur për herë të parë futboll në nivel ndërkombëtar.

Pikërisht Botërori 1982 mbetet pjesëmarrja e vetme e Kuvajtit në futbollin e madh dhe ai Botëror mbahet mend edhe për Kuvajtin, që shkonte në Spanjë pas dy vitesh të shkëlqyera, duke fituar Kupën e Azisë në 1980 dhe duke lënë pas Arabinë Saudite, Kinën dhe Zelandën e Re në grupin kualifikues për Kupën e Botës, shkruan Zëri.info.

Në Botëror Kuvajti ra në grup me Anglinë, Francën dhe Çekosllovakinë, emra gjigantë, ndaj pakkush priste ndonjë çudi vendi i vogël në Lindjen e Mesme.

Gjithsesi, në ndeshjen hapëse arabët morën një barazim befasues kundër çekosllovakëve dhe dhanë sinjalin se nuk kishin shkuar sa për numër në Botëror.

Ndeshja pasardhëse ishte kundër Francës së frikshme, që në debutim kishte mundur 3:1 Anglinë dhe në përbërje kishte yje si Michel Platini e Alain Giresse.

Kuvajti rezistoi mirë për gjysmë ore, në një ditë përvëluese në Valladolid, por Franca e gjeti më pas rrugën e golit, me Bernard Genghini që shënoi me goditje dënimi dhe më pas Platini shënoi golin e dytë, pa u mbyllur pjesa e parë.

Franca shënoi të tretin në minutën e 48-të me Didier Six, ndërsa 15 minuta para përfundimit Abdullah Al-Buloushi shënoi golin e nderit për Kuvajtin.

Pak momente më vonë Franca shënoi edhe golin e katërt, kur Platini me një pasim të bukur nxori Giresse të vetëm me portierin, në një kohë që një fishkëllimë kishte bërë që gjithë lojtarët e Kuvajtit të ndaleshin, duke menduar për pozicion jashtë loje.

Giresse shënoi dhe aty plasi kaosi, sepse arbitri ukrainas Miroslav Stupar e konsideroi të rregullt, duke thënë se nuk kishte fishkëllyer, ndaj dikush nga tribunat me sa duket kishte përdorur një bilbil për t'u tallur.

Nuk mjaftoi për të bindur lojtarët e Kuvajtit të rinisnin lojën, sepse sipas tyre goli ishte i parregullt. Ndërkaq, ashtu si gjatë gjithë ndeshjes, kamerat fokusuan sërish sheikun Fahad Al-Ahmed Al-Jaber Al-Sabah, princ i Kuvajtit dhe president i federatës kuvajtiane.

Sheiku u çua në këmbë dhe bëri me shenjë nga lojtarët e tij, duke u kërkuar të dilnin nga fusha, ndërsa 10 minutat pasuese ishin absurde.

I zemëruar, princi Fahad zbriti nga tribuna drejt fushës, duke kaluar policët e shtangur, dhe duke nisur debatin me arbitrin.

Princi i urdhëroi lojtarët të mos e rinisnin ndeshjen dhe të largoheshin nga fusha, ndërsa kërcënoi se do të shkaktonte një incident diplomatik të paparë ndonjëherë në Kupën e Botës.

Më vonë Fahad mohoi që t'u kishte thënë lojtarëve të dilnin nga fusha, duke pretenduar se gjesti me duar nënkuptonte të kundërtën.

Ndërkohë, gjyqtari nuk dinte si të vepronte, sepse nuk kishte asnjë orientim nga FIFA, ndaj pasi u mendua, vendosi ta anulonte golin.

Për fat, Franca e kishte siguruar fitoren, ndaj nuk protestoi, por menjëherë u nis në sulm dhe pak sekonda më vonë shënoi sërish, me rezultatin 4:1 që këtë radhë u pranua nga të gjithë.

Sheiku Fahad u bë personazh krejt papritur, sepse historia e tij bëri bujë.

FIFA e gjobiti me një shifër që natyrisht nuk është se e vriste shumë xhepin e sheikut, ndërsa gjyqtari Miroslav Stupar e pësoi keq, sepse nuk drejtoi më kurrë ndeshje ndërkombëtare.

Në ndeshjen e tretë Kuvajti u mund 1:0 nga Anglia dhe u largua me kokën lart, por mbi të gjitha u largua duke lënë pas kujtimin e golit të anuluar pas presionit nga lojtarët dhe presidenti i vet./Zëri.info