Një ndeshje, dy ekipe, tre popuj!

Sport December 06, 2018 - 12:36
Detajet
Image

Presidenti i Federatës së Futbollit të Malit të Zi e ka komentuar Grupin A të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, shkruan sot gazeta Zëri.

Vëmendja e të gjithëve është fokusuar në faktin se Mali i Zi do të luajë kundër Kosovës. Në aspektin sportiv pritet një përballje interesante, por është evidente se fokusi do të jetë në aspektin politik pas situatës së krijuar në Ballkan në dekadat e fundit.

Dhe kreu i futbollit malazez ka folur për herë të parë për shortin, e posaçërisht për përballjet me Kosovën.

“Ne si Federatë do ta kemi mjaft të vështirë për ta organizuar këtë lojë. Policia jonë në ndeshjen me Serbinë ka treguar se di të organizojë dhe të menaxhojë evenimente të mëdha, kështu që mendoj se e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ndeshjen ndaj Kosovës, ku gjithçka do të shkojë mirë”, deklaroi fillimisht Savicevic për “Telegraf”-in serb.

“Po, është e qartë se do të jetë më e vështirë sesa ndaj Serbisë, sepse në këtë rast do t’i kemi tri palë: serbët, malazezët dhe shqiptarët”, shtoi ai.

Savicevic: Kosovën e ka kapluar euforia, fusha e blertë do t’i tregojë të gjitha

Savicevic i ka komentuar edhe deklaratat e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili e ka konsideruar Përfaqësuesen e Kosovës si njërën prej dy skuadrave më të mira të grupit.

“Ky është opinioni i tij. Personalisht, mendoj se është një deklaratë paksa e ekzagjeruar, por tash ata janë në eufori pasi e kanë fituar Ligën e Kombeve. Mendoj se është një ‘paralojë’ e tij. Ai ndoshta ka dashur t’i motivojë lojtarët, por më e rëndësishmja është se si do të jenë ata në fushën e blertë. Fusha do t’i tregojë të gjitha”, vazhdoi legjenda malazeze.

Për shkaqe politike Savicevic e pranon se do të ishte më i lumtur nëse Kosova nuk do të binte në grup me Malin e Zi dhe se e preferonte një skuadrës tjetër përfaqësuese nga vazoja e pestë.

Krahas Kosovës në Malit të Zi, në Grupin A të kualifikimeve për Botëror bëjnë pjesë edhe Anglia, Bullgaria dhe Republika Çeke.

“Dardanët” e kanë mundësinë të kualifikohen në Evropian edhe përmes Ligës së Kombeve. /Zëri/