Zhgënjimet e sezonit të ri

Sport October 10, 2017 - 13:17

Shumë ekipe dhe lojtarë të ligave evropiane të futbollit nuk janë duke përjetuar momente edhe aq të këndshme në këtë fillim të edicionit. Pak ditë para përfundimit të ndeshjeve të përfaqësueseve dhe rifillimit të ndeshjeve kampionale, ne ju sjellim disa prej zhgënjimeve të këtij edicioni, shkruan sot, gazeta "Zëri".

Ndeshjet e përfaqësueseve përmbyllen gjatë ditës së mërkurë dhe në fundjavë rikthehen emocionet e ndeshjeve kampionale.  Futbollistë dhe ekipe të ndryshme kanë dështuar që të përmbushin pritjet në këtë fillim të edicionit 2017/2018. “Goal.com” sjell disa prej zhgënjimeve të këtij sezoni të ri.

Victor Lindelof

Manchester United pagoi 31 milionë funte për transferimin e Lindelofit gjatë verës dhe shumë njerëz kanë pritur që ai të formojë një partneritet me Eric Baillyn në mbrojtjen e klubit anglez. Por, kjo nuk ka ndodhur dhe suedezi ka qenë titullar në vetëm një ndeshje të ligës angleze. Phil Jones dhe Chris Smalling mbeten emra më të preferuar për Jose Mourinhon për të formuar partneritetin me Baillyn.

Bayern Munich

Kur një klub gjigand si Bayern Munichu shkakron trajnerin pas gjashtë xhirove të para në kampionat është e qartë se diçka nuk është duke shkuar sipas planit. Bavarezët gjenden në vendin e dytë në kampionat dhe kanë mbetur pesë pikë prapa Borussia Dortmundit që kryeson tabelën. Sidoqoftë, ende jemi në një fazë të hershme të edicionit dhe gjigandi bavarez ka kohë për të rimarrë veten.

AC Milan

Milani dukej se do të rikthehej. Gjigandi italian shpenzoi rreth 200 milionë euro për transferime të reja, duke përfshirë këtu Leonardo Bonnucin. Gjithashtu arriti që të rinovoj kontratën me portierin adoleshent, Gianluigi Donnarumma dhe shumëkush mendoi që milanezët do të konkurrojnë për titull. Por, pas shtatë javësh në kampionat, Milani numëron 4 fitore dhe 3 humbje dhe ka mbetur nëntë pikë prapa kreut të tabelës. Shihet qartë se jo gjithçka ka shkuar sipas planit. Presioni ndaj trajnerit Vincenzo Montella është shtuar dhe ndeshja e ardhme kundër rivalit lokal, Inter mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.

Everton

Evertoni dukej se ishte fituese nga afati kalimtar i verës. Ata ishin të gatshëm që të luftonin për top-katërshe. Wayne Rooney ishte rikthyer dhe dukej se kohëra te mira do të vinin. Evertoni tani gjendet në pozitën e 16-të në ligën angleze. Pamundësia për të gjetur një zëvendësues të duhur për të larguarin Romelu Lukaku duket se mund t’i shkaktoj telashe Ronald Koemanit. Presioni ndaj holandezit gjithmonë është duke u shtuar.

Frank De Boer

Pasi kishte përfaqësuar Barcelonën, Ajaxin dhe Holandën, tifozët prisnin shumë nga ardhja e De Boer në ligën angleze për të drejtuar Crystal Palacen. Por, pas vetëm katër ndeshjeve në Premierligë, klubi anglez vendosi për shkarkimin e holandezit. Crystal Palace humbi të gjitha takimet dhe nuk arriti të shënoj gol nën urdhrat e tij.

VAR

Videoasistenti i referit dukej të ishte e ardhmja e futbollit. FIFA është shumë e interesuar që ta përdor teknologjinë në Kupën e Botës që mbahet gjatë vitit të ardhshëm dhe ka vendosur që zbatimi i saj të filloj në Serie A dhe Bundesligë. Sidoqoftë, pas një prove jo të mbarë në Kupën e Konfederatave, teknologjia e re vazhdon të sjellë më shumë pyetje sesa përgjigje. Gjermani kërcënoi me largim të VAR-it pas vetëm dy javësh, kurse në Itali nuk ka vendim që nuk shkakton huti. Ndoshta me kalimin e kohës kjo do të përmirësohet, por momentalisht ky sistem është një katrahurë e vërtetë./Zëri