Trajnim ndërkombëtar për zyrtarët e FASK-ut

Sport May 14, 2017 - 21:24

Dy trajnerë nga FIA (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit) dhe MSA (Motor Sports Asotiation) për dy ditë me radhë kanë ligjëruar në Prishtinë në një trajnim në të cilin kanë marrë pjesë 50 zyrtarë të Federatës së Auto Sportit të Kosovës, shkruan zeri.info.

Chris Hobson dhe Peter Greenhalgh i kanë bartur përvojat e tyre të shumta për situata të ndryshme në auto sport, me theks të veçantë ato që kanë të bëjnë me sigurinë si dhe me mënyrën e reagimit në rast të aksidenteve.

Ata janë shprehur të kënaqur me organizimin, pjesëmarrjen dhe interesimin e zyrtarëve të FASK-ut. “Organizimi ishte shumë i mirë ashtu sikur edhe numri i pjesëmarrëve. Ata ishin mjaft entuziastë dhe u interesuan të mësojnë sa më shumë. Është mirë që Federata juaj ua ka mundësuar të përfitojnë nga përvojat tona që i kemi marrë për një kohë të gjatë në FIA dh MSA. Trajnimet ndërkombëtare gjithmonë janë të mirëseardhjura, sepse aty çdo herë mësohen gjëra të reja. Shpresoj që pjesëmarrësit e këtij trajnimi të kemë mësuar gjëra të rëndësishme dhe në bazë të interesimit të tyre, unë jam optimist për këtë. Shumica prej tyre kanë bërë pyetje interesante, por edhe janë përgjigjur në pyejtjet tona”, ka thënë Chris Hobson, njëri nga trajnerët ligjërues.

 

I kënaqur me ecurinë e trajnimit është shprehur edhe kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi. “Për dy ditë me radhë është mbajtur trajnim mjaft domethënës për zyrtarët e automobilizmit të Kosovës. Ky trajnim është mbajtur falë një grant-programi të cilin FASK-u e ka fituar nga FIA. Për këto dy ditë kemi mësuar përvoja të rëndësishme, duke filluar nga organizimi i garave dhe siguria gjatë tyre. Zyrtarët tanë kanë qenë shumë të përkushtuar, interesimi ka qenë  i kënaqshëm, sepse ishte planifikuar të marrin pjesë 50 persona dhe po aq kanë qenë të pranishëm”, ka thënë Rexhepi, duke shtuar: “Jam i kënaqur edhe me vullnetin e pjesëmarrëve për të qëndruar kaq gjatë, sepse duke e njohur profilin dhe temperamentin e tyre diçka e tillë nuk ishte e lehtë. Mirëpo, të gjithë pjesëmarrësit u treguan shumë përkushtuar dhe deri në momentin e fundit e ruajtën përqendrimin”. Edhe vlerësimi i pjesëmarrëve në trajnim ka qenë shumë pozitiv./Zëri/