Leonora Jakupi reagon pas aktgjykimit në Hagë: Ende nuk jemi të vetëdijshëm për dëmin që i është bërë Kosovës
Këngëtarja Leonora Jakupi e ka konsideruar si “ditën më të rëndë” për popullin e Kosovës aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ajo ka reaguar nga protesta e mbajtur para Qeverisë së Kosovës, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
“E konsideroj lirisht se është dita më e rëndë për popullin e Kosovës. Si duket, akoma nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë dëmi iu ka bërë Kosovës me këtë vendim”, ka thënë Jakupi.
Këngëtarja ka vlerësuar se institucionet e Kosovës është dashur të bëjnë më shumë në mbështetje të procesit të apelit, duke e cilësuar këtë si një nga çështjet që kërkon më shumë angazhim institucional.
“Konsideroj se është dashur të bëhet më shumë në aspektin institucional”, ka theksuar ajo.
Gjykata Speciale në Hagë më 16 shtator shpalli aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Sipas aktgjykimit, dënimet lidhen me përgjegjësi penale për krime lufte, ndërsa të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.
Vendimi ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ndërsa qytetarë janë mbledhur në Prishtinë dhe në vende të tjera për të shprehur qëndrimet e tyre pas aktgjykimit.
Në mesin e atyre që kanë reaguar publikisht është edhe Leonora Jakupi, e cila prej vitesh ka folur publikisht për luftën e Kosovës dhe për babanë e saj, dëshmorin e UÇK-së, dhe kësaj here ka zgjedhur të jetë e pranishme në protestën e organizuar pas vendimit.