Vesa Smolica anulon mbrëmjen muzikore pas vendimit në Hagë: Në shenjë respekti për çlirimtarët
Këngëtarja nga Kosova, Vesa Smolica, ka njoftuar anulimin e mbrëmjes muzikore që ishte planifikuar të mbahej sonte, 16 shtator.
Vendimi i artistes vjen në shenjë respekti ndaj zhvillimeve të sotme në Gjykatën Speciale në Hagë, ku u shpall aktgjykimi në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vesa ka publikuar agjendën e mbrëmjes muzikore, mbi të cilën ka vendosur mbishkrimin e kuq “ANULOHET”.
Në njoftimin drejtuar publikut, këngëtarja ka bërë të ditur se vendimi për anulimin e mbrëmjes është marrë për shkak të zhvillimeve të sotme në Hagë, duke shprehur solidaritetin e saj me ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët në postimin e saj i cilëson si “çlirimtarët tanë”.
“Për shkak të vendimit të sotëm për çlirimtarët tanë dhe në shenjë respekti, mbrëmja muzikore sonte anulohet. Faleminderit për mirëkuptimin”, ka shkruar Smolica.
