Dua Lipa pushton “Sunny Hill” me muzikë dhe stil, revista prestigjioze e quan “mbretëreshë”
“Mbretëresha e Sunny Hill Festival” është rikthyer. Me këtë frazë e nis Harper’s Bazaar artikullin kushtuar Dua Lipës, duke vlerësuar rikthimin e saj në Prishtinë dhe paraqitjet e saj të veçanta në festivalin që ajo themeloi së bashku me familjen e saj.
Revista prestigjioze i kushton vëmendje jo vetëm performancës së yllit botëror, por edhe stileve të saj të guximshme që tërhoqën vëmendjen gjatë netëve të festivalit.
Në natën e parë, Dua iu bashkua publikut në turmë për të përjetuar nga afër atmosferën dhe performancën e Katy Perry, duke u shfaqur me një fustan mini metalik të markës Rabanne, i krijuar tërësisht nga zinxhirë metalikë. Veshja kishte një prerje elegante pa mëngë dhe një fund të shkurtër të zbukuruar me detaje voluminoze me motive lulesh 3D. Ajo e kombinoi me çizmet e saj të preferuara të zeza prej lëkure, të cilat i shoqëruan gjatë gjithë festivalit.
Ditën tjetër, këngëtarja u përfshi në stilin bohem të festivaleve, duke veshur një kostum të bardhë me dantellë nga Chloe, me prerje që zbulonte shpatullat, të kombinuar me një rrip të gjerë të zi dhe përsëri me çizmet e saj karakteristike. Në mbrëmje ajo shtoi një xhaketë të kuqe sportive dhe e kaloi natën duke festuar së bashku me familjen e saj.
Sunny Hill Festival u themelua në vitin 2018 nga Dua Lipa dhe prindërit e saj, të cilët kishin emigruar nga Kosova drejt Londrës në vitet ’90 dhe u rikthyen pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Dua Lipa ka lindur në Mbretërinë e Bashkuar, por një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar në Prishtinë. Në vitin e kaluar ajo mori zyrtarisht shtetësinë e Kosovës dhe e festoi këtë moment duke ngjitur skenën e Sunny Hill Festival.
Në atë kohë, ajo ndau edhe një mesazh emocionues:
“Të ndaj këtë natë me ju të gjithë, në qytetin që më ka formuar, e rrethuar nga kaq shumë energji, gëzim dhe krenari, është e vështirë të përshkruaj me fjalë se çfarë do të thotë kjo për mua”.