Konfirmohet ylli i radhës që do të ngjitet në skenën e “Sunny Hill Festival”
Përgatitjet për edicionin e sivjetmë të festivalit më të madh në rajon, “Sunny Hill Festival”, po e rrisin temperaturën dita-ditës.
Pasi u bë e ditur se artisti i njohur skocez Lewis Capaldi do të jetë pjesë e skenës së madhe në Prishtinë, si dhe pas konfirmimeve të bujshme javë më parë të yllit botëror Katy Perry dhe DJ-it të famshëm Martin Garrix, organizatorët kanë zbuluar së fundmi një tjetër emër të madh.
Përmes një postimi zyrtar në rrjetet sociale, është konfirmuar se pjesë e listës së artistëve (lineup) do të jetë edhe artisti italian, Blanco (Blanchitobebe). Fituesi i Sanremos dhe përfaqësuesi i Italisë në Eurovizion pritet të sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme për të gjithë adhuruesit e muzikës së tij.
“Blanco i bashkohet listës së Sunny Hill dhe ne tashmë e dimë që do të jetë një super atmosferë (vibe)!”, shkruhet në njoftimin zyrtar të festivalit, i cili do të mbahet nga data 31 korrik deri më 2 gusht 2026 në “Sunny Hill Festival Park” në Bërnicë.
Ndërkohë, organizatorët pritet të zbulojnë edhe emra të tjerë të mëdhenj që do t’i bashkohen skenës përgjatë ditëve në vijim.
