Bebe Rexha shkëlqen me paraqitjen e radhës në New York
Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është shfaqur sërish në qendër të vëmendjes me një paraqitje të veçantë në New York.
Artistja u fotografua teksa vizitoi SiriusXM Studios më 6 maj 2026, ku u pa me një stil që kombinonte glam-in e saj të njohur me elemente “western” dhe rock.
Në fotografitë e publikuara, Bebe shfaqet me flokë biondë të prerë shkurt dhe me syze të mëdha dielli me nuanca të errëta, ndërsa veshja e saj bie menjëherë në sy: një korsetë me motive të theksuara e kombinuar me një sytjena të zezë me dantellë, pantallona të errëta dhe një rrip masiv me detaje metalike, që i jep pamjes një karakter të fortë dhe shumë “statement”.
Në disa nga imazhet, ajo e ka kompletuar dukjen edhe me një pallto me jakë me gëzof, duke e bërë kombinimin më dramatik dhe më të përshtatshëm për stilin urban të New Yorkut.
Paraqitjet e shpeshta mediale të Bebe Rexhës nuk janë rastësi, pasi ajo është shumë e angazhuar së fundmi në promovimin e albumit të saj të ri, “Dirty Blonde”, shkruan telegrafi.
Ky projekt, i cili është albumi i katërt në karrierën e saj, pritet të publikohet i plotë më 12 qershor, ndërsa deri më tani janë publikuar disa këngë nga ky material.
“New Religion” po konsiderohet kënga hit e albumit dhe i ka sjellë artistes një sukses të rëndësishëm, pasi e ka renditur atë në vendin e parë në listën Dance/Electronic të Billboard-it. Ky është sinjal i qartë se Rexha po e shënon një rikthim të fuqishëm në skenë, në një fazë të re të karrierës së saj.
Njëkohësisht, ky kapitull vjen edhe si një hap i madh profesional për këngëtaren, e cila tani po vepron si artiste e pavarur në industrinë e muzikës, pas një bashkëpunimi 12-vjeçar me Warner Music. Për fansat, “Dirty Blonde” shihet si një projekt që jo vetëm e rikthen Bebe Rexhën në formë të plotë, por edhe e shfaq atë më të lirë artistikisht se kurrë më parë.














