Edhe Sllovenia refuzon transmetimin e Eurovisionit, zgjedh program alternativ për Palestinën
Sllovenia është në mesin e pesë shteteve që është tërhequr këtë vit nga Eurovisioni, për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Transmetuesi publik i Sllovenisë, RSV, ka konfirmuar se nuk do ta transmetojë këtë vit Eurovisionin, duke vendosur në vend të tij një program të dedikuar për kinemanë palestineze dhe diskutime politike, transmeton Zeri.info.
Vendimi e bën Slloveninë ndër vendet e fundit që tërhiqen nga transmetimi i garës, në një valë reagimesh të lidhura me pjesëmarrjen e Izraelin. Ndërkohë që pesë shtete janë tërhequr zyrtarisht nga gara, Sllovenia dhe Spanja kanë konfirmuar se do të shkojnë një hap më tej duke refuzuar plotësisht edhe transmetimin televiziv.
Holanda, nga ana tjetër, ka bërë të ditur se do ta transmetojë ngjarjen pavarësisht se nuk merr pjesë, ndërsa statusi i transmetimit për dy vendet, Irlandën dhe Islandën, mbetet ende i paqartë.
Transmetuesi publik slloven do të zëvendësojë programin tradicional të Eurovisionit me një skemë të veçantë të titulluar “Glasovi Palestine” (“Zërat e Palestinës”). Ky program do të transmetohet nga 10 deri më 20 maj, në të njëjtat data kur zhvillohen gjysmëfinalet dhe finalja e madhe e Eurovisionit.
Sipas njoftimit, programi alternativ do të përfshijë një përzgjedhje filmash dhe dokumentarësh, të shoqëruar me emisione diskutimi dhe analiza nga ekspertë, me synim ofrimin e një pasqyre më të thelluar mbi aspektet kulturore dhe politike të rajonit.
Ky vendim rikthen në fokus debatin mbi politizimin e Unionit t Transmetuesve Evropian (EBU), e cila vazhdon të këmbëngulë se Eurovisioni duhet të mbetet një garë jopolitike mes transmetuesve publikë. Megjithatë, disa televizione argumentojnë se zhvillimet aktuale globale e bëjnë të vështirë ruajtjen e këtij neutraliteti, duke e kthyer pjesëmarrjen e Izraelit në një pikë kyçe kontestimi që sfidon frymën tradicionale të unitetit të festivalit. /Zëri