Dua Lipa nga minimalizmi tek eleganca verore në reklamën e re të Nespresso-s
Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa po tërheq vëmendje me paraqitjet e saj të fundit në reklamën e re të Nespresso-s, ku shfaq dy stile krejtësisht të ndryshme, por njësoj tërheqëse.
Në njërën nga pamjet, ajo shfaqet në një apartament me dritë natyrale, duke shijuar kafenë me një stil minimalist. E veshur me një këmishë të kaltër të çelët, paksa të rrudhur dhe me prerje “oversized”, artistja sjell një pamje të relaksuar dhe spontane, që përcjell ndjesinë e një mëngjesi të qetë. Grimi i saj është i lehtë dhe natyral, duke theksuar freskinë dhe elegancën pa shumë ndërhyrje.

Ndërkohë, në një tjetër set fotografik, Dua shfaqet në një ambient veror, e shtrirë mbi një dyshek në pishinë, duke mbajtur një pije në dorë. Këtë herë ajo mahnit me një fustan mini në ngjyrë të verdhë “butter”, me teksturë të rrudhur dhe detaj floral në pjesën e qafës, që i shton një prekje lozonjare pamjes.

Aksesorët, përfshirë një byzylyk të theksuar dhe sandalet me rripa, kompletojnë këtë stil më të guximshëm dhe veror, duke krijuar një kontrast të qartë me paraqitjen e saj minimaliste.
Me këto dy imazhe, Dua Lipa dëshmon edhe një herë fleksibilitetin e saj në stil dhe aftësinë për të vendosur trende, duke kaluar lehtësisht nga thjeshtësia elegante te një estetikë më e gjallë dhe verore. /KultPlus
