Një muaj paraburgim Rinor Hykollit, menaxherit të Tyanës

Një muaj paraburgim Rinor Hykollit, menaxherit të Tyanës

Showbiz October 05, 2021 - 14:50

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit Rinor Hykolli, i cili është njohur si menaxher i këngëtares Tayna.

Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi se më 22 korrik, në bashkëkryerje me të pandehurin Sh. Xh., në diskotekën “Stop” në Gjilan, për shkak të një mosmarrëveshjeje, i kanë shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit L.B. në pjesë të ndryshme të trupit, duke ia thyer hundën, ku për shkak të lëndimeve i njëjti ishte detyruar të kërkojë tretman mjekësor.

“Me këto veprime i pandehuri R.H. dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). I pandehuri nga data 24.07.2021 deri më 04.10.2021 ka qenë në arrati, duke iu shmangur organeve të drejtësisë, në atë mënyrë që ishte fshehur edhe përkundër faktit se kishte qenë në njohuri se ishte në kërkim nga zyrtarët policorë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në njoftim po ashtu thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale. /Zëri