Konferenca e Neurologjisë në Kosovë, fokusi në sklerozën multiple

Konferenca e Neurologjisë në Kosovë, fokusi në sklerozën multiple

Shëndetësi June 04, 2026 - 10:17

Sot ka filluar punimet Konferenca Pranverore e Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës, e cila do të mbledhë neurologë, specializantë dhe ekspertë ndërkombëtarë. Aty pritet të diskutohen zhvillimet më të fundit në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve neurologjike.

Konferenca Pranverore e Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës organizohet sivjet për të katërtin vit me radhë. Kjo konferencë synon të jetë ngjarja kryesore e komunitetit neurologjik në vend.

Sekretari i Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës, neurologu Blerim Myftiu, tha për Radio Kosovën se përmes temave të ndryshme që trajtohen çdo vit, pjesëmarrësit informohen për arritjet më të fundit shkencore, metodat diagnostike dhe mundësitë e trajtimit të sëmundjeve neurologjike, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në Kosovë.

"Gjatë dy ditëve sa mbahet konferenca zgjidhen disa tema bosht dhe çdo vit këto tema ndryshohen në mënyrë alternative, në mënyrë që për fushat përkatëse për të cilat duhet të diskutohet në konferencën Pranverore të jepet një përmbledhje e përgjithshme për sa u përket atyre sëmundjeve ose atij grupi sëmundjesh dhe të informohet publiku i interesuar që përbëhet nga neurologë, specialistë, specializantë dhe studentë për arritjet e fundit në fushë, për qasjen diagnostike, për metodat diagnostike që ndërkohë vazhdojnë të evoluojnë dhe të zhvillohen, si dhe për mundësitë e trajtimit të tyre", tha ai.

Dita e parë e konferencës i kushtohet sklerozës multiple. Neurologu Myftiu tha se për këtë temë do të flasin ekspertë nga Austria, Kroacia, Turqia dhe vendet e rajonit, të cilët do të prezantojnë zhvillimet më të fundit në diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.

"Skleroza multiple paraqet një sëmundje që fatkeqësisht prek moshat e reja në një periudhë shumë të rëndësishme të zhvillimit të tyre jetësor dhe social dhe përbën një barrë të madhe për këta persona që vuajnë nga ajo, si dhe për familjarët e tyre. Duke pasur parasysh se fusha e sklerozës multiple është një fushë e cila ndërkombëtarisht, në kuptimin terapeutik, ka një zhvillim ndoshta më të hovshëm në fushën e neurologjisë", theksoi Myftiu.

Konferenca do të mbahet më 4 dhe 5 qershor dhe pritet të mbledhë neurologë, profesionistë shëndetësorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar një hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe njohurive mbi sfidat dhe risitë në fushën e neurologjisë.