Si veprojnë në të vërtetë barnat për ADHD-në: Studim i ri sfidon kuptimin tradicional të trajtimit

Si veprojnë në të vërtetë barnat për ADHD-në: Studim i ri sfidon kuptimin tradicional të trajtimit

Shëndetësi May 28, 2026 - 08:00

Një studim i ri sugjeron se barnat e përdorura gjerësisht për trajtimin e çrregullimit të deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD), si Ritalin dhe Adderall, mund të funksionojnë ndryshe nga sa është besuar deri më tani. Këto gjetje mund të ndikojnë në mënyrën se si profesionistët shëndetësorë e kuptojnë dhe menaxhojnë këtë çrregullim.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Cell”, u realizua nga studiues të Shkollës së Mjekësisë në Universitetin e Uashingtonit në Shën Luis. Sipas tyre, barnat stimuluese nuk veprojnë kryesisht në zonat e trurit të lidhura drejtpërdrejt me vëmendjen, siç është menduar më herët. Në vend të kësaj, ato ndikojnë më shumë në sistemet që lidhen me zgjimin, motivimin dhe ndjenjën e shpërblimit, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.

Një gjetje veçanërisht interesante është se këto medikamente krijojnë modele të aktivitetit të trurit të ngjashme me ato të gjumit cilësor. Kjo është domethënëse, pasi shumë persona me ADHD përjetojnë vështirësi në gjumë të rregullt dhe cilësor.

Studiuesit theksojnë se përmirësimi i vëmendjes nuk ndodh sepse barnat e rrisin drejtpërdrejt fokusin, por sepse e bëjnë individin më vigjilent, më të motivuar dhe më të angazhuar në kryerjen e detyrave.

Këto përfundime sfidojnë teoritë e mëparshme. Sipas Dr. Benjamin Kay, bashkautor i studimit, përmirësimi i vëmendjes është një efekt dytësor i rritjes së zgjimit dhe ndjesisë së shpërblimit gjatë kryerjes së detyrave.

Edhe ekspertë të tjerë, si Dr. Grace Cheney nga Universiteti Stanford, theksojnë se studimi ndihmon në sqarimin e mënyrës reale se si barnat stimuluese ndihmojnë personat me ADHD, duke korrigjuar keqkuptimin se ato “rrisin vëmendjen” në mënyrë të drejtpërdrejtë. /Gazeta Shneta