Çaji apo kafeja, cila është më e mirë për shëndetin e kockave?
Një studim 10-vjeçar me rreth 10,000 gra mbi moshën 65 vjeç tregoi se konsumimi i çajit mund të ketë përfitime të lehta për shëndetin e kockave.
Gratë që pinin çaj kishin një densitet pak më të lartë kockor në zonën e ijeve krahasuar me ato që nuk konsumonin çaj. Nga ana tjetër, konsumimi i më shumë se pesë filxhanëve kafe në ditë u lidh me densitet më të ulët kockor, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Densiteti i kockave është një tregues i rëndësishëm për rrezikun e osteoporozës, një gjendje që rrit mundësinë e frakturave dhe ndikon në cilësinë e jetës.
Studiuesit matën rregullisht densitetin e kockave në ije dhe kofshë, zona ku frakturat janë më të zakonshme. Edhe përmirësimet e vogla në densitet mund të çojnë në ulje të ndjeshme të frakturave në shkallë të gjerë.
Sa i përket kafesë, u vu re se konsumimi i moderuar (2–3 filxhanë në ditë) nuk kishte ndikim negativ në kocka.
Megjithatë, sasitë e mëdha mund të ndikojnë në përthithjen e kalciumit dhe metabolizmin e kockave. Shtimi i qumështit në kafe mund të ndihmojë në zbutjen e këtij efekti.
Çaji përmban përbërës natyralë si katekinat dhe flavinat, të cilat mund të ndihmojnë në formimin e kockave dhe në ngadalësimin e humbjes së tyre. Veçanërisht, çaji jeshil konsiderohet më i pasuri me këta përbërës për shkak të përpunimit minimal.
Ekspertët sugjerojnë se konsumimi i 3–4 filxhanëve çaj pa sheqer në ditë mund të jetë i dobishëm për shumicën e të rriturve, por duhet të merret parasysh gjendja shëndetësore dhe përdorimi i medikamenteve.
Gjithashtu, përmbajtja e kafeinës mund të ndikojë në gjumin dhe në nevojën për urinim më të shpeshtë.