Mungesa e hekurit tek të rinjtë po bëhet shqetësuese

Mungesa e hekurit tek të rinjtë po bëhet shqetësuese

Shëndetësi April 25, 2026 - 15:10

Mungesa e hekurit është një problem gjithnjë e më i shpeshtë, veçanërisht tek të rinjtë, ajo mund të ketë pasoja të rëndësishme për shëndetin dhe funksionimin e përditshëm. Kjo gjendje shpesh shfaqet në mënyrë të ngadaltë dhe mund të mos vërehet menjëherë.

Një nga shenjat më të zakonshme është lodhja e vazhdueshme, e shoqëruar me përqendrim të dobët dhe ulje të performancës fizike dhe mendore. Kjo ndodh sepse hekuri është një element thelbësor në prodhimin e hemoglobinës, e cila ka funksionin e transportimit të oksigjenit në të gjithë trupin, shkruan WHO, transmeton Gazeta Shneta.

Sipas ekspertëve, një nga shkaqet kryesore të mungesës së hekurit është dieta e pabalancuar, ku mungojnë ushqimet e pasura me hekur si mishi i kuq, spinaqi, bishtajoret dhe ushqime të tjera me vlera të larta ushqyese. Kur organizmi nuk merr mjaftueshëm hekur, furnizimi me oksigjen në inde dhe organe bëhet më i ulët, duke ndikuar në funksionimin e tyre normal.

Problemi shpesh neglizhohet, pasi simptomat mund të ngatërrohen me lodhjen e zakonshme apo stresin e përditshëm. Megjithatë, nëse nuk trajtohet në kohë, mungesa e hekurit mund të përkeqësohet dhe të çojë në anemi, një gjendje më serioze që kërkon trajtim mjekësor.

Mjekët dhe ekspertët e shëndetit rekomandojnë kryerjen e analizave të rregullta të gjakut për zbulim të hershëm, si dhe përmirësimin e dietës përmes ushqimeve të pasura me hekur. Në disa raste, mund të nevojiten edhe suplemente të përshkruara nga mjeku për të rikthyer nivelet normale në organizëm.